Federata gjermane e dënon rëndë mbrojtësin e Kosovës, pasi e goditi me kokë kundërshtarin në stilin Zinedine Zidane - NACIONALE

Federata gjermane e dënon rëndë mbrojtësin e Kosovës, pasi e goditi me kokë kundërshtarin në stilin Zinedine Zidane

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Gjermanisë e ka pezulluar për tri ndeshje mbrojtësi kosovar të St Paulit, Betim Fazliji, pas kartonit të kuq me të cilin ishte ndëshkuar për shkak se e kishte goditur me kokë kundërshtarit në një ndeshje të Bundesliga 2 në fundjavë.

Fazliji nuk iu përmbajt një provokimi të kundërshtarit Dawid Kownacki, duke e goditur atë me kokë ne supet e tij sulmuesin e Dusseldorfit, njësoj siç kishte bërë Zinedine Zidane në finalen e Botërorit 2006 ndaj Marco Matterazzit.

Në minutën e 58-të gjyqtari i ndeshjes pas pak sekondave e ndëshkoi me karton të kuq përfaqësuesin e Kosovës, duke e larguar atë nga loja për shkak të gjestit kundërsportiv të bërë.

Si pasojë, federata gjermane e ka pezulluar atë me tri ndeshje, që nënkupton se kosovari nuk do të luajë më këtë vit.

Fazliji do të mungojë kundër Holstein Kiel dhe kundër Karlsruher SC këtë vit, si dhe kundër Nurnbergut në ndeshjen e parë të vitit 2023.

Pas kartonit të kuq, DFB-ja e ka pezulluar mbrojtësin tonë Betim Fazliji për tri ndeshje lige. Ai do të mungojë në dy ndeshjet e mbetura të vitit 2022 dhe në ndeshjen e parë të vitit 2023” thuhet në një njoftim të St Paulit.

Ky episod ndodhi në momentin që Dusseldorfi ishte në epërsi 1:0. Tërë këtë situatë të tensionuar e shkaktoi një ndërhyrje e ashpër e Fazlijit.

Krejt në fund, St. Pauli me një lojtar më pak nuk ia doli që të marrë diç më shumë se një humbje me rezultat 1:0 në një udhëtim të vështirë siç ishte ai në Dusseldorf.

St. Pauli vazhdon të mbetet në zonën e thellë të tabelës, duke u renditur në vendin e 14-të me 15 pikë të tubuara. Në tre ndeshjet e fundit ka arkëtuar vetëm një pikë, çka dëshmon formën aspak të mirë të cilën po e gëzojnë këtë sezon.

Në këtë ndeshje paraqitje të plotë zhvilloi edhe futbollisti tjetër kosovar, gjegjësisht Leart Paqarada.

Paraqitjet jobindëse të Fazlijit

Betim Fazliji për afro 700 mijë euro u transferua gjatë verës nga St. Gallen te ekipi i St. Paulit. Vetë ai javë më parë deklaroi që ambientimi nuk po del të jetë aspak i lehtë, marrë parasysh dallimet që janë mes dy kampionateve. Më saktësisht, kampionatit zviceran dhe atij të Bundesliga 2.

Ai është kritikuar shpesh nga shtypi gjerman për paraqitje të dobëta. Më shumë është angazhuar si qendërmbrojtës, sepse në fillim në pozitën e mesfushorit shkatërrues kishte lënë për të dëshiruar.

Mbrojtësi kosovar ishte fajësuar edhe për humbjen ndaj Bielefeldit para dy javësh, pasi nuk ia kishte arritur që ta mbulonte siç duhej sulmuesin kundërshtar në golin e dytë të pranuar.

Në përgjithësi, kjo ishte ndeshja e tretë rresht që ai e luajti si titullar me fanellën e klubit verior gjerman. Në tërësi ai ka zhvilluar pesë (5) paraqitje nga minuta e parë, ndërsa në shtatë (7) raste tjera ka hyrë nga pjesa e dytë. Vetëm në tri (3) ndeshje nuk i është dhënë hapësira për asnjë minutë që të zbriste në fushë.

Lajme të ngjashme