Fazlijin nuk e mbajnë nervat, në stilin e Zidane godet me kokë kundërshtarin - NACIONALE

Fazlijin nuk e mbajnë nervat, në stilin e Zidane godet me kokë kundërshtarin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Betim Fazliji nuk ka arritur t’i përmbahet një provokimi të kundërshtarët. Ai e ka goditur atë me kokë ne supet e tij, njësoj siç kishte bërë Zinedine Zidane në finalen e Botërorit 2006 ndaj Marco Matterazzit.

Mbrojtësi nga Lugina e Preshevës, Betim Fazliji, nuk ka arritur ta kapërdijë një provokim që pranoi nga sulmuesi polak, Dawid Kownacki, në ndeshjen mes Dusselforfit dhe St. Paulit.

Sapo ndodhi pranoi një ofendim nga sulmuesi kundërshtar, përfaqësuesi kosovar iu kthye shpejt atij, duke e goditur me kokë në supet e tij. Përnjëherë Kownacki u shtri në tokë dhe filloi një tollovi e madhe mes lojtarëve të dy ekipeve.

Në minutën e 58-të gjyqtari i ndeshjes pas pak sekondave e ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin kosovar, duke e larguar atë nga loja për shkak të gjestit kundërsportiv të bërë.

Ky episod ndodhi në momentin që Dusseldorfi ishte në epërsi 1:0. Tërë këtë situatë të tensionuar e shkaktoi një ndërhyrje e ashpër e Fazlijit.

Për disa minuta zgjati një katrahurë e vërtetë, ku u përfshinë shumë lojtarë nga të dy ekipet, në përpjekje për t’i qërosur hesapet mes vete.

Krejt në fund, St. Pauli me një lojtar më pak nuk ia doli që të marrë diç më shumë se një humbje me rezultat 1:0 në një udhëtim të vështirë siç ishte ai në Dusseldorf.

St. Pauli vazhdon të mbetet në zonën e thellë të tabelës, duke u renditur në vendin e 14-të me 15 pikë të tubuara. Në tre ndeshjet e fundit ka arkëtuar vetëm një pikë, çka dëshmon formën aspak të mirë të cilën po e gëzojnë këtë sezon.

Në këtë ndeshje paraqitje të plotë zhvilloi edhe futbollisti tjetër kosovar, gjegjësisht Leart Paqarada.

Paraqitjet jobindëse të Fazlijit

Betim Fazliji për afro 700 mijë euro u transferua gjatë verës nga St. Gallen te ekipi i St. Paulit. Vetë ai javë më parë deklaroi që ambientimi nuk po del të jetë aspak i lehtë, marrë parasysh dallimet që janë mes dy kampionateve. Më saktësisht, kampionatit zviceran dhe atij të Bundesliga 2.

Ai është kritikuar shpesh nga shtypi gjerman për paraqitje të dobëta. Më shumë është angazhuar si qendërmbrojtës, sepse në fillim në pozitën e mesfushorit shkatërrues kishte lënë për të dëshiruar.

Mbrojtësi kosovar ishte fajësuar edhe për humbjen ndaj Bielefeldit para dy javësh, pasi nuk ia kishte arritur që ta mbulonte siç duhej sulmuesin kundërshtar në golin e dytë të pranuar.

Në përgjithësi, kjo ishte ndeshja e tretë rresht që ai e luajti si titullar me fanellën e klubit verior gjerman. Në tërësi ai ka zhvilluar pesë (5) paraqitje nga minuta e parë, ndërsa në shtatë (7) raste tjera ka hyrë nga pjesa e dytë. Vetëm në tri (3) ndeshje nuk i është dhënë hapësira për asnjë minutë që të zbriste në fushë.

Lajme të ngjashme