Federata e basketbollit thotë se po punon me autoritetet për dyshimet për kurdisje
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka thënë se është duke bashkëpunuar me autoritetet e vendit për dyshimet për kurdisje në basketboll, pas arrestimit të tre personave të premten.
Policia e Kosovës njoftoi të premten pasdite se i ka arrestuar tre persona në tri lokacione të ndryshe, gjatë një aksioni në lidhje me dyshimet për kurdisje.
Por raportohet se dy prej të arrestuarve janë gjyqtari i basketbollit, Daut Mehmeti, dhe trajneri Arbnor Rifati.
“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media”, thuhet në reagimin ë FBK-së.
Dyshohet se kurdisjet kanë ndodhur në Ligën Ballkanike.
FBK-ja është zotuar në luftimin e kurdisjeve në komunikatën e nënshkruar nga kreu i vet Arben Fetahu.
“Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona”.
Gjyqtari kosovar Daut Mehmeti u ndëshkua me pezullim të përjetshëm nga FIBA për kundërshtimin e Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore. Sipas faqes zyrtare të FIBA-s, sanksioni tashmë është vendosur ndaj zyrtarit të lojës.

