Federata Botërore e Basketbollit e përjashton përjetësisht gjyqtarin kosovar Daut Mehmetin
Federata Botërore e Basketbollit (FIBA) e ka dënuar maksimalisht gjyqtarin nga Kosova, Daut Mehmetin, duke e përjashtuar përjetësisht pasi ndreqi lojë dhe bëri baste.
Gjyqtari kosovar, Daut Mehmeti, u ndëshkua me pezullim të përjetshëm nga FIBA për kundërshtimin e Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore. Sipas faqes zyrtare të FIBA-s, sanksioni tashmë është vendosur ndaj zyrtarit të lojës.
Arsyeja që ka sjellë dënimin për gjyqtarin 37-vjeçar janë bastet dhe ndreqjet e paligjshme të disa ndeshjeve që ai ishte thirrur për të gjykuar.
Daut Mehmeti, 37 vjeç, pa një fund të hershëm dhe të palavdishëm për karrierën e tij në gjykim profesionist. Sipas bgbasket.com, Mehmeti ka gjykuar gjashtë ndeshje të Maccabi Haifa në nëntë paraqitjet e tij të fundit në fushë.
Njoftimi për sanksionin përmend një "pezullim nga kryerja e një funksioni" dhe një "ndalim të pjesëmarrjes në të gjitha aktivitetet e FIBA-s" për shkelje të Kodit të Etikës dhe Integritetit të federatës, për sa i përket basteve dhe manipulimit të garave.
Vetëm dy muaj më parë, FIBA ka dënuar edhe lojtarin 30-vjeçar të Iskra Svit, Sasha Avramoviq, për të njëjtën arsye për të cilën është dënuar edhe Daut Mehmeti.