FC Prishtina u dëmtua me miliona euro shkak i moslincencimit nga FFK-ja
FC Prishtina është dëmtuar më së paku tre milionë euro nga moslicencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para afro dy viteve, kështu thonë burimet brenda klubit për Gazetën Nacionale.
Prishtina të martën mbrëma njoftoi se kanë fituar çështjen e moslicencimit në KAS, ku ka rezultuar që FFK-ja pa të drejtë ua ka mohuar daljen në Evropë.
FFK-ja tani ka 21 ditë kohë për ta dërguar çështjen në apel në Llozanë, megjithatë dëmi që Prishtina ka pasur ka qenë milionësh.
“Duhet të bëhet ekspertiza financiare për të parë se sa jemi dëmtuar, por normalisht qysh po e shohim na ka qenë shumë e madhe. Kemi pasur probleme të mëdha me mosdaljen në Evropë, pa e konsideru faktin se kemi kemi mundur të hymë në fazën e grupeve, dëmtimi i imazhit, pastaj lojtarët që kemi pasur t’i transferojmë por na kanë dështuar, atëherë vlera mundet lehtësisht ta tejkalojë shifrën e tre milionë eurove”.
“Por, do të bëhet ekspertiza dhe të shohim. FFK-ja ka tash 21 ditë për ta dërguar në apel, aty në Llozanë”, thotë një burim brenda klubit për Nacionalen në kushte anonimiteti.
Atë kohë në vend të Prishtinës, vendin për garat evropiane e zuri klubi futbollistik Dukagjini, të cilët arritën të kualifikohen deri në raundin e dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Fillimisht kishin eliminuar Europan, pastaj kishin pësuar humbje ndaj skuadrës kroate Rijeka.
Prishtina përndryshe është këndellur mirë këtë sezon, ngase janë në luftë për titullin kampion – ku deri më tani kanë mbledhur 16 pikë në nëntë ndeshje, tre më pak se lideri Ballkani, megjithatë kjo e fundit ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara.