FBK gjobit KB Trepçën me 2 mijë e 100 euro dhe i dënon me tre ndeshje pa spektatorë, reagon edhe klubi mitrovicas - NACIONALE

FBK gjobit KB Trepçën me 2 mijë e 100 euro dhe i dënon me tre ndeshje pa spektatorë, reagon edhe klubi mitrovicas

1 vit më parë

nga NACIONALE

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka gjobitur me 2 mijë e 100 euro klubin e Trepçës, si dhe dënuar me tre ndeshje pa praninë e tifozëve shkaku i asaj që ndodhi në ndeshjen ndaj Pejës.

Si shpesh herë, "Torcidat" hynë brenda në palestër duke sulmuar ekipin e Pejës, ku si pasojë u ndërpre edhe ndeshja për disa minuta.

Sidoqoftë, pavarësisht asaj tifozët mitrovicas nuk u ndalën dhe hidhnin edhe mjete drejt basketbollistëve pejan.

Kështu, FBK ka dënuar klubin e Trepçës me tre ndeshje pa praninë e tifozëve dhe gjobitur me 2 mijë e 100 euro.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe klubi nga Mitrovica, që tani ka bërë apel nga tifozët që të kenë kujdes të shtuar, pasi sipas tyre si klubi po ‘dëmtohen’.

Postimi i plot pa ndërhyrje:

“Sot morëm vendimin e FBK-së për dënimin e klubit tonë me zhvillimin e tri ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe me gjobë prej 2100 euro.

Nuk është hera e parë që duhet të paguajmë çmim të lartë për veprimet e pamatura të një grupi shikuesish, që besojmë se nuk është grup i madh.

Andaj apelojmë te të gjithë përkrahësit tanë, e që janë vërtetë shumë, që të kenë kujdes të shtuar. Si klub po dëmtohemi seriozisht si në aspektin financiar ashtu edhe për imazhin që me aq mund po e ndërtojmë.

Falënderojmë tifo-grupin “TORCIDA” që gjithnjë shfaq nivel të lartë tifozllëku dhe bashkëpunimi.

Përkrahja e shikuesve na duhet, por assesi fyerjet dhe gjërat tjera të palejuara”, shkroi Trepca.

Kujtojmë, atë sfidë e fitoi Peja me rezultat të ngushtë 68:71, falë një trepikëshi të Rodnay Purvis si "Buzzer Beater" në sekondat e fundit.

Ndërkohë, në anën tjetër në aspektin sportiv, Trepca renditët në pozitën e tretë në tabelë me 18 pikë, dy më pak se lideri KB Peja.

Lajme të ngjashme