Euro 2024: Kosova përballet me Bjellorusinë sonte, ende në kërkim të fitores së parë në kualifikime - NACIONALE

Euro 2024: Kosova përballet me Bjellorusinë sonte, ende në kërkim të fitores së parë në kualifikime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova do të përballet me Bjellorusinë sot në Hungari, ende në kërkim të fitores së parë në këtë fushatë kualifikuese për Euro 2024.

Pas tri barazimeve në tri ndeshjet e para në Grupin I kualifikues, dardanët janë të vetëdijshëm se vetëm fitorja sonte në Stadiumin Szusza Ferenc në Hungari i mban gjatë shpresat e tyre edhe ashtu të vogla për kualifikim në turneun e verës së ardhshme në Gjermani.

Ndeshja do të zhvillohet në Hungari për shkak se Bjellorusia e ka të ndaluar nga UEFA t’i luajë në shtëpi ndeshjet si vendas sepse po e përkrah luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kosova është e katërta me tri pikë nga tri takime në Grupin I, duke ngelur gjashtë pikë mbrapa lideres Zvicra, si dhe katër pikë mbrapa Bullgarisë, me të cilën barazoi pa gola të premten në Prishtinë.

Vetëm dy ekipet e para në grup mund të kualifikohen në Euro 2024.

Duke folur para ndeshjes në një konferencë për media, trajneri i verdhekaltërve Alain Giresse u zotua në fitoren e parë të Kosovës në këto kualifikime nën drejtimin e tij.

Kemi studiuar dhe analizuar lojën e Bjellorusisë si ata tonën. Nuk duhet t’i përshtatemi lojës që luan kundërshtari, por të imponojmë lojën tonë. Ky është qëllimi për lojën e nesërme, që ta kemi dominimin në fushë dhe ta detyrojmë kundërshtarin të na përshtaten në mënyrën e lojës tonë”, tha Giresse të dielën.

Kosova mund të jetë pa Milot Rashicën, i cili ndje një shqetësim në ndeshjen e kaluar dhe u zëvendësua në pushimin mes pjesëve në Stadiumin Fadil Vokrri.

Bjellorusia është e fundit në grup pa pikë nga tri ndeshjet e para dhe i ka humbur katër nga pesë ndeshjet e fundit.

Kosova nuk ka humbur në pesë ndeshjet e fundit, por as nuk ka fituar, duke barazuar në të gjitha prej tyre.

Lajme të ngjashme