Kosovës i zbehen edhe më shumë gjasat për kualifikim, ndalet nga Rumania
Kombëtarja e Kosovës është pajtuar me një barazim në shtëpi ndaj Rumanisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Pavarësisht dominimit të plotë, “Dardanët” nuk arritën më shumë se një barazim pa gola ndaj rumunëve.
Kosova e nisi për mrekulli duke pasur disa raste shënimi me anë të Florent Muslijës dhe Bersant Celinës, të cilët nuk ia dolën t’i finalizonin.
Të dy lojtarët bënë nga një gjuajtje të fuqishme, por portieri rumun arriti t’i devijojë të dyja për ta mbajtur portën e paprekur.
Rumania gjatë pjesës së parë nuk është që krijoi ndonjë mundësi shënimi, duke u mbrojtur shumicën e kohës.
Me futjen e Edon Zhegrovës ndryshoi edhe stili i lojës, ku Kosova nisi të sulmojë edhe më shumë.
Ylli i Lilles në fakt shënoi me kokë pas një harkimi të Celinës, mirëpo fatkeqësisht ndërhyri VAR-i për ta vlerësuar si të parregullt shkaku i një pozite jashtë loje.
Zhegrova tentoi sërish me një goditje nga distanca por sërish portieri rumun bëri heroin me një tjetër pritje të bukur.
Një rast tjetër të artë në fund e kishte edhe Vedat Muriqi, por ylli i Mallorcas goditi mbi portë nga afërsia.
Kësisoj, Kosova u detyrua të pajtohet vetëm me një barazim te rivali direkt për pozitën e dytë, gjë që do t’iu shtojë probleme për kualifikimin tutje.
Kosova zë vendin e katërt pas tre ndeshjeve, ku ka të mbledhura vetëm tre pikë, derisa Rumania renditet e dyta me shtatë sosh.
Kosova pas tre ditëve do të udhëtojë për përballjen ndaj Bjellorusisë derisa Rumania do të luajë ndaj Zvicrës.