"Është i lumtur këtu", trajneri i PSG-së komenton situatën e kontratës së Leo Messit
Trajneri i Paris Saint-German, Christophe Galtier thotë se klubi po diskuton me yllin e skuadrës Leo Messi për vazhdimin e kontratës.
Sipas tij një marrëveshje ende s’është arritur, duke shtuar se argjentinasi është tejet i lumtur në “Parkun e Princave”.
"Bisedimet janë duke vazhduar, bordi ynë ka diskutuar me Messin për kontratën e re, nuk di më shumë".
"E shoh Leon shumë të lumtur në Paris, pastaj do të shohim pozitën e tij lidhur me projektin e klubit", deklaroi shkurtimisht ai.
Kontrata momentale e Messit skadon në qershor, por u raportua javëve të fundit për një marrëveshje verbale për dy vitet e ardhshme (një me mundësi vazhdimi për një tjetër).
Messi u kërkua nga ish klubi Barcelona dhe skuadra amerikane Inter Miami, por pas suksesit në Kupën e Botës “Katar 2022”, ai vendosi t’i qëndrojë besnik edhe për disa vite futbollit evropian.
Kujtojmë, para disa ditëve Messi u rikthye në stërvitje pas dy javëve pushim pas triumfit të Kupës së Botës dhe me gjasë do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës ndaj Angers.

