Erling Haaland shkëlqen në debutim, Man City e nis në stilin e kampionit edicionin në Premierligë - NACIONALE

Erling Haaland shkëlqen në debutim, Man City e nis në stilin e kampionit edicionin në Premierligë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka shënuar fitore komode sfidën hapëse të Premierligës në udhëtim te West Ham, me sulmuesin Erling Haaland që ishte i shkëlqyeshëm.

"Qytetarët" triumfuan me rezultat komod 0:2, sfidë të cilën e dominuan nga minuta e parë.

Skuadra e Pep Guardiolas si zakonisht nisi me posedimin e thellë, ku në minutat e parë ishte 18 me 82 për mysafirët. Kevin de Bruyne hapi serinë e golave duke shënuar nga afërsia pas një asistimi të Ilkay Gundogan, por pastaj u anulua për pozitë jashtë loje.

Kjo veçse e motivoi kampionin e Anglisë që vazhdonte të shtonte presionin. Zhvillohej minuta e 35-të, kur Alphonse Areola faulloi Erling Haaland dhe arbitri akordoi penallti.

Nga 11-metërsh, norvegjezi ishte thjeshtë i pagabueshëm duke hapur serinë e golave – VIDEO.

Tutje, Man City kishte edhe disa raste shënimi, por që nuk i konkretizuan. Ndërkohë, West Ham për këto 45 minuta provoi përmes disa kundërzbritjeve që ishin plotësisht të pasuksesshme.

Man City e nisi kështu edhe pjesën e dytë, duke dyfishuar rezultatin sërish përmes Haaland. Kevin de Bruyne me një asistim maestral gjeti norvegjezin duke e vendosur në pozitën një kundër një me portier dhe qendërsulmuesi e kishte të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë (65') – VIDEO.

"Çekanët" pastaj provuan të ngushtojnë rezultatin, por mbrojtja mysafire ishte gjithmonë në pozitën e duhur duke mos lejuar befasi.

Kësisoj, pavarësisht rasteve të mbetura asnjëra skuadër nuk i finalizoi aksionet, andaj epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0:2.

Man City kështu e nis me këmbë të mbarë këtë edicion të Premierligës, duke zënë pozitën e tretë me tre pikë, derisa West Ham qëndron në pozitën e 17-të pa pikë.

Në xhiron e radhës, Man City do të jetë nikoqir i Bournemouth, derisa West Ham është mysafir i Nottingham Forestit.

Lajme të ngjashme