Erlind Haaland shënon rekord të ri me golin ndaj Bayern Munich
Erling Haaland është quajtur ‘bishë’ e ‘përbindësh’ pasi që ai theu rekordin e golave nga një lojtar i Premierligës në një sezon, me golin e shënuar në ndeshjen e mbrëmshme ku Manchester City ‘shkatërroi’ Bayern Munich në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi 22-vjeçar shënoi golin e tretë të Cityt në fitoren 3:0 në ndeshjen e parë çerekfinale për të arritur një tjetër rekord në sezonin e tij të parë në klubin anglez.
Ky ishte goli i tij i 45-të për Cityn këtë sezon, vetëm në ndeshjen e tij të 39-të, një rekord për një lojtar të Premierligës në të gjitha garat. Ky ishte goli i tij i gjashtë në tetë ndeshje kundër kampionit gjerman, Bayern, pasi sa ishte pjesë e Borussia Dortmund i kishte shënuar pesë të tjerë, por asnjëherë nuk kishte shënuar fitore ndaj tyre.

“Çdo skuadër duhet të ketë frikë nga ky lojtar, ai është thjeshtë një përbindësh. Ai është një bishë, urime Manchester City që e keni blerë atë”, tha për BT Sport ish-sulmuesi i Bayernit dhe Gjermanisë, Mario Gomez.
Ish-mesfushori anglez Owen Hargreaves, i cili luajti për Bayern dhe City, gjithashtu tha disa fjalë për Haaland: “Ai është sulmuesi më efikas që kam parë ndonjëherë. Shënimi i golave të tij është jashtë kësaj bote”.
Ish-mbrojtësi i Cityt, Joleon Lescott shtoi: "Ai është i veçantë. Me siguri është shumë lajm i mirë për anësorët kur e dinë se mund ta harkojnë topin në zonë dhe aty është Haalandi."
Haaland gjithashtu ka gjashtë asistime këtë sezon për Cityn, duke përfshirë edhe asistimin e mbrëmshëm për Bernardo Silvën për golin e rezultatit 2:0.

Ish-sulmuesi i Manchester United, Dion Dublin tha për BBC: “Ai bëri punën edhe për lojtarët e tjerë gjatë ndeshjes. Ai asnjëherë s’do të jetë jashtë listës së golashënuesve kur City të shënojë tre gola”
Që nga fillim i Premierligës në sezonin 1992-93, asnjë lojtarë nuk ka shënuar 45 gola në të gjitha garat, deri më tani. Ruud van Nistelrooy shënoi 44 gola për Manchester United në 2002-03 dhe Mohammed Salah bëri të njëjtën gjë për Liverpoolin 2017-18.
Van Nistelrooy dhe Salah të dy brenda 52 ndeshjeve shënuan 44 gola e Haaland theu rekordin e tyre pavarësisht se luajti 13 ndeshje më pak.
Nistelrooy ishte në sezonin e tij të dytë me United kur shënoi 44 gola dhe Salah ishte në vitin e tij të parë në Liverpool por ai kishte luajtur në Angli për Chelsean më parë. Haaland ka lindur në Leeds (qytet në lindje të Anglisë), por ai u zhvendos në Norvegji në moshën tre vjeçare dhe kurrë nuk ka luajtur në Premierligë deri në këtë sezon.

Haaland ka shënuar 28 gola me këmbën e tij të preferuar të majtën, dhjetë me këmbën e djathtë, shtatë me kokë dhe ka gjashtë penallti të shënuara. Lojtari i fundit i ligës angleze që shënoi më shumë në një sezon ishte Clive Allen i Tottenhamit në 1986-87, kur ai shënoi 49 gola në të gjitha garat për Tottenhamin./Orselina Lazraj

