Erik ten Hag: Na duhen akoma lojtarë tjerë për ta përforcuar ekipin - NACIONALE

Erik ten Hag: Na duhen akoma lojtarë tjerë për ta përforcuar ekipin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot, Manchester United luajti miqësoren e radhës kundër Aston Villas, ku barazoi me rezultat 2:2. Në përfundim të ndeshjes, Erik ten Hag qartësisht kërkoi afrime të reja lojtarësh.

Tifozët e Manchester United janë në eufori të madhe, pasi drejtimin e skuadrës e ka marrë Erik ten Hag, trajneri holandez që ka pasur rezultate mjaft të mira me Ajaxin.

Pas dy javësh fillon edicioni i ri në Premierligë. Manchester United gjithmonë kërkon që të hyjë me objektivin për të fituar trofe.

Për ta përgatitur në mënyrë solide ekipin, sipas trajnerit holandez nevojiten edhe disa lojtarë tjerë që të sigurohen në treg.

Nevoja për ta përforcuar ekipin

Drejtpërdrejt, pa shumë lojëra fjalësh, Erik ten Hag në konferencë për shtyp pas mbarimit të miqësores kundër Aston Villas sqaroi se atyre u nevojiten lojtarë të tjerë për t'u përforcuar.

"Kemi siguruar shërbimet e Eriksen dhe jemi shumë të lumtur. Jam i lumtur edhe për paraqitjet tona në mesfushë dhe sulm që kemi demonstruar deri më tani, por e dimë që ky sezon do të jetë me mjaft shumë ndeshje"
, komentoi ai.

Tutje, ai tregoi në formë më koncize se çfarë i duhet skuadrës së tij.

"Kemi nevojë për më shumë opsone, që ta kemi një skuadër të mirë. Duhet ta përforcojmë edhe më tepër organikën dhe jemi duke i kërkuar lojtarët e duhur në këtë aspekt", deklaroi Erik ten Hag.

Transferimet e Manchester United në këtë afat kalimtar

Deri më tani janë tre lojtarë që i ka zyrtarizuar Manchester United si afrime të reja. Ka qenë qendërmbrojtësi argjentinas, Linsadro Martinez, ai që u ka kushtuar "djajve të kuq" më së shumti: 57 milionë euro.

Argjentinasi 24-vjeç u ble nga Ajax, meqë Erik ten Hag e njihte mirë dhe ka qenë po ai që ka insistuar për ta bindur që të transferohej në "Old Trafford".

Mbrojtësi i krahut të majtë, Tyrell Malacia, ka qenë një tjetër blerje solide e klubit më të trofeshëm në Premierligë. Për holandezin 22-vjeç janë paguar 15 milionë euro në arkat e klubit të Feyenoord.

Për çudi të shumëkujt, Christian Eriksen ishte lojtari i radhës që përfundoi në gjirin e ekipit të Manchester United.

Mesfushori danez vendosi t'i jepte fund kapitullit të tij te Brentford, duke mos shfaqur dëshirë që ta rinovonte kontratën. Si lojtar i lirë ai iu bashkua "djajve të kuq".

Lajme të ngjashme