Eliminohet kampioni në fuqi i Evropës, Zvicra triumfon me rezultat komod ndaj Italisë dhe kalon në çerekfinale të EURO 2024
Kombëtarja e Zvicrës ka shënuar fitore 2:0 ndaj kampionit në fuqi të Evropës, Italisë, kështu duke u bërë skuadra e parë që arrin çerekfinalen e EURO 2024.
Helvetikët e dominuan tërësisht takimin, ndërsa Azzurët nuk ishin fare të disponuar për lojë, duke dëshpëruar me paraqitjen në Olympiastadion në Berlin.
Zvicra e filloi mirë takimin, duke krijuar raste të shumta shënimi, e më së afërmi ishte me Embolon kur ai doli në situatë përballë me Donnarummën, me këtë të fundit që bëri pritje fantastike për ta shpëtuar skuadrën e tij.
Por skuadra e Murat Yakin vazhdoi të ishte prezente kudo në fushë dhe në minutën e 37-të shënuan golin e epërsisë.
Ruben Vargas e shfrytëzoi një hapësirë të madhe të lënë në mbrojtjen italiane, duke asistuar për Freuler, i cili shënoi lehtësisht për 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.
Goal: Remo Freuler | Switzerland 1-0 Italypic.twitter.com/0JXljgDKxv
— PushGoals (@PushGoals) June 29, 2024
Zvicra ishte shumë më e mirë edhe në pjesën e dytë, ndërsa Italia ishte krejtësisht e pafuqishme për të krijuar diçka serioze në këtë takim.
Vetëm një minutë pasi filloi pjesa e dytë e takimit, asistuesi i golit të parë, Ruben Vargas, shënoi gol të jashtëzakonshëm nga distanca, për të dyfishuar rezultatin.
Goal: Ruben Vargas | Switzerland 2-0 Italypic.twitter.com/3PMPEnsuB8
— PushGoals (@PushGoals) June 29, 2024
Italia tentoi të reagonte me disa raste të rralla, por që dështuan të shënonin me Scamccan dhe Reteguin.
Deri në fund të takimit nuk pati më ndryshim në rezultat dhe Zvicra triumfoi 2:0, për t'u bërë çerekfinalisti i parë i Evropianit 2024.
Helvetikët në çerekfinale do ta presin fituesin nga dueli Angli - Sllovaki, përballja që zhvillohet nesër me fillim nga ora 18:00.