Ekipi i Usykut e sulmon Furyn: Po kërkon shumë para, sepse do që lufta të dështojë
Promotori i Oleksandr Usyk ka thënë se lufta për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës me Tyson Furyn është në rrezik të dështojë, për shkak të kërkesave të larta financiare të Furyt.
Usyku dhe Fury janë në bisedime për përballjen mes vete në ring, por koha për ta arritur një marrëveshje po soset.
Alex Karassyuk, i cili e përfaqëson Usykun, tha se Fury e ka hedhur poshtë ofertën e fundit të tyre, sipas të cilës fituesi i meçit i merr 60 për qind të shumës së përgjithshme të parave, dhe dyshoi nëse kampioni i WBC-së dëshiron të luftojë vërtet.
“Mund të flas vetëm nga ajo çfarë po dëgjoj nga negociatorët tanë, partnerët tanë Frank dhe George Warren. Sipas tyre, Fury po kërkon shumë para”, tha Krassyuk për iD Boxing.
“Edhe sikur Usyk të mos e merrte asnjë cent nga kjo luftë, prapë paratë nuk do të mjaftonin për t’i mbuluar kërkesat e Furyt”, shtoi ai.

“Natyrisht, kur një boksier nuk e dëshiron një luftë, ai kërkon diçka të pamundur, dhe pastaj lufta nuk ndodh. Kjo sipas përvojës sime. Kam 20 vite që jam në boks dhe këtë e kam parë shumë herë”.
Pas dy fitoreve radhazi kundër Anthony Joshuas, Usyk i mban titujt e botës në kategorinë e rëndë në WBO, WBA dhe IBF, derisa Fury është kampion bote në WBC.
Kategoria e rëndë e boksit ka më shumë se dy dekade që nuk e ka një kampion të padiskutueshëm të botës.
Fury apo Usyk, nëse arrijnë marrëveshje për një luftë mes vete, do t’ia ofronin botës një kampion të padiskutueshëm.
