“Edhe vjet thanë kështu” - Kroosi i përgjigjet Rooneyt se City do ta shkatërrojë Real Madridin
Mesfushorit të Real Madridit, Toni Kroos, nuk i bëjnë shumë përshtypje komentet e Wayne Rooneyt, i cili tha se Manchester City jo vetëm që do ta mposhtë, por do ta shkatërrojë kampionin në fuqi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Kampioni në fuqi do të jetë nikoqir i skuadrës së Pep Guardiolës për ndeshjen e parë gjysmëfinale të këtij edicioni në sonte Bernabeu.
Ish-sulmuesi i Anglisë dhe Manchester Unitedit Rooney shkroi në një kolumnë për mediat angleze se City do ta dërrmojë plotësisht Madridin.
“Manchester City jo vetëm që do ta mposhtë Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, por do ta shkatërrojë”, shkroi Rooney në The Times.
Megjithatë, Kroos, zgjodhi t’i përgjigjet atij duke e kthyer në kujtesë atë që kishte ndodhur vitin e kaluar në këtë garë.
Madridi e kishte rrëzuar nga kjo fazë e garës skuadrën e Pep Guardiolës me një rikthim të jashtëzakonshëm të rezultatit.

Kroos u pyet për komentet e Rooney në konferencë për media para ndeshjes dhe përgjigja e tij ishte se nuk e shqetësonin ato.
“Mendo se të njëjtën gjë e kishim edhe vitin e kaluar, apo jo” tha Kroos.
“Pothuajse askush nuk priste që ne ta fitonim Ligën e Kampionëve apo atë gjysmëfinale, por ne e bëmë. E mbaj në mend se disa fjalë nga viti i kaluar ishin goxha të ngjashme”, shtoi ai.
Madridit i është rikthyer nga lëndimi mesfushori kyç Luka Modric, i cili do të jetë në dispozicion të Carlo Ancelottit për këtë ndeshje.
