Edhe Timo Werner i Gjermanisë e humb Botërorin shkaku i lëndimit - NACIONALE

Edhe Timo Werner i Gjermanisë e humb Botërorin shkaku i lëndimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Gjermanisë, Timo Werner, do të mungojë në Kupën e Botës 2022, që nis në fund të këtij muaji në Katar, për shkak të një lëndimi.

Werner, 26 vjeç, u zëvendësua në minutën e 16-të në fitoren e RB Leipzigut 4:0 kundër Shakhtar Donetsk të mërkurën në Ligën e Kampionëve, duke nxitur dyshime të mëdha se ai do të mundë të mungonte në Botërorin e Katarit, dy javë para fillimit të tij.

Dhe të enjten, një ditë më vonë, Leipzigu njoftoi se Werner e ka lënduar nyjën e këmbës dhe se do të mungojë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Timo Werner e pësoi një lëndim në nyje mbrëmë në fitoren kundër Shakhtar Donetskut”, njoftoi Leipzigu.

Testet mjekësore të bëra sot tregojnë se ai, fatkeqësisht, e ka çarë ligamentin në nyjën e këmbës së majtë dhe si pasojë do të mungojë për pjesën e mbetur të vitit 2022”, thuhet në njoftim.

Werneri e kishte rigjetur formën e tij më të mirë për Leipzigun pikërisht këtë sezon, pasi u kthye te klubi gjerman pas një qëndrimi të pasuksesshëm në Chelsea.

Ai i kishte shënuar nëntë gola dhe i kishte dhënë katër asiste në 16 paraqitje para se të lëndohej kundër Shakhtarit të mërkurën.

Werneri ka qenë titullar i rregullt në Kombëtaren e Gjermanisë që prej se bëri debutimin në vitin 2017. Ish-ylli i Stuttgarit i ka bërë 55 paraqitje për vendin e vet, duke i shënuar 24 gola.

Ai ishte pjesë e Gjermanisë në Kupën e Botës 2018 dhe në Kampionatin Evropian 2020.

Werner është vetëm njëri nga lojtarë të shumtë që e kanë humbur tashmë Botërorin për shkak të lëndimeve që po vijnë si pasojë e orarit të ngjeshur të ndeshjeve në turnetë e klubeve.

Lajme të ngjashme