“E tmerrshme ta shohësh Cristiano Ronaldon duke qarë ashtu”
Ish-mbrojtësi i Anglisë, Gary Neville, thotë se ishte e tmerrshme për të ta shihte ish-bashkëlojtarin e vet te Manchester Unitedi, Cristiano Ronaldo, duke shpërthyer në lot hidhërimi pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës.
Maroku e tronditi Portugalinë të shtunën duke e mposhtur 1:0 në çerekfinale, duke u bërë vendi i parë afrikan që arrin në gjysmëfinale të një Kupe Bote.
Ronaldo, i cili edhe lojën paraprake ishte lënë rezervë, u fut në lojë në pjesën e dytë kundër Marokut, duke e barazuar rekordin për më së shumti paraqitje për një ekip kombëtar në botë, 196.
Por 37-vjeçari, të cilin Manchester Unitedi e liroi nga kontrata në nëntor, nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte Portugalisë ta shënojë golin e barazimit, pasi Youseff En-Nesyri e kishte kaluar Marokun në epërsi në pjesën e parë.
Pasi ëndrra e tij për ta fituar Botërorin u shua pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Ronaldo u largu menjëherë drejt zhveshtores i vetëm dhe me lot në sy.

Ronaldo i zemëroi shumë njerëz në United, përfshirë disa prej legjendave të klubit, me intervistën kontroverse që e dha për Piers Morgan muajin e kaluar, por Neville ndjeu dhembshuri për ish-shokun e skuadrës.
“Dëshiroj ta përmend Cristiano Ronaldon, sepse i pashë fotografitë e tij duke qarë në tunel”, tha Neville për Sky Sports.
ronaldo lost ronaldo loser ronaldo crying pic.twitter.com/AdYvSB2v3b
— . (@soobyawn) December 10, 2022
“Ato pamje ishin të tmerrshme për mua. Në atë çast ai e dinte se ëndrra për ta fituar Kupën e Botës për vendin e vet kishte marrë fund”, shtoi ai.
“Të gjithëve na ka ndodhur në fund të karrierës, por ai është njëri prej më të mirëve në histori, nëse jo më i miri. Është e tmerrshme ta shohësh atë ashtu. Ai ka pasur dy muaj shumë të vështirë.”
