E papritur, një tjetër futbollist i Barcelonës i thotë "po" Atletico Madridit - NACIONALE

E papritur, një tjetër futbollist i Barcelonës i thotë "po" Atletico Madridit

2 javë më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi Marco Alonso është bërë futbollisti i radhës që do t’i bashkohet Atletico Madridit nga Barcelona.

Barcelona është duke u përgatitur të jetë mjaftë aktive në afatin e verës dhe lojtari i parë që do të largohet, duket se është Alonso, me “Cadena Ser” që raporton se ka arritur marrëveshje me rivalin, Atletico Madrid.

Në dy vite që kur iu bashkua katalunasve, spanjolli ka dështuar ta fitojë vendin titullar – ku këtë sezon ka zhvilluar vetëm shtatë paraqitje.

Lëndimet normalisht kanë pasur rol në paraqitjet e reduktuara, meqenëse u operua në muajin janar dhe nuk ka luajtur asnjë minutë që atëherë.

Kontrata e Alonsos skadon në verë dhe lojtari së bashku me klubin kanë vendosur që në verë t’i ndajnë rrugët. Barcelona ka raporte të shkëlqyera me Atleticon, andaj nuk ka asnjë problem që spanjolli të kalojë në “Wanda Metripolitano”.

Alonso i bashkohet listës së “vogël” që kalon te Atletico nga Barcelona

Në dekadën e fundit, tetë lojtarë kanë kaluar nga Barcelona te Atletico – ose e kundërta.

Në vitin 2020, Suarez u largua nga Barcelona duke nënshkruar për Atleticon pas pesë viteve mahnitëse në “Camp Nou”, në një marrëveshje në vlerë e nëntë milionë eurove.

Një vit më vonë, Griezmann që u rikthye te Atletico pasi zhgënjeu te Barcelona, u ble përfundimisht nga skuadra madrilene për vetëm 22 milionë euro, pavarësisht që shitja e tij te Barcelona paraprakisht kishte kushtuar 120 milionë euro (pra në vitin 2019).

Kurse lojtari më i fundit ishte Memphis Depay që kaloi te Atletico për vetëm 3 milionë euro. Ndërsa, nga Atletico te Barcelona kanë kaluar lojtarë si Arda Turan, Griezmann dhe Joao Felix.

Marco Alonso tani do të ndjek rrugën e babait të tij, që kishte luajtur për Atletico Madridin në vitin 1979.

Lajme të ngjashme