"E mrekullueshme, super!" - Deschamps i lumtur që Enrique po e lë në stol Mbappen te PSG-ja
Ylli i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, është duke e parë veten çdoherë e më pak në fushë, ngase trajneri Luis Enrique ka vendosur që jo pak herë në ndeshjet e fundit ose ta zëvendësojë herët, ose ai mos të jetë në formacionin bazë, por kjo nuk e shqetëson Didier Deschampsin e Kombëtares së Francës.
Që kur superylli francez është zotuar të mos nënshkruajë një zgjatje të kontratës me parisienët, ai i ka parë minutat e tij të kufizuara nga shefi i klubit, Luis Enrique. Spanjolli e ka përshkruar lëvizjen e tij për të ulur sulmuesin si mënyrën e tij për t'u siguruar që ekipi i tij është gati të përballet me largimin e tij të pritshëm këtë verë.

Duke folur pas shpalljes së listës të Kombëtares së Francës, Deschamps tha se është i lumtur që e sheh yllin e tij në pankinë: “Është super, madhështore. Duke pasur parasysh numrin e ndeshjeve që ka luajtur… elementi i freskisë në një kompeticion të madh është thelbësor. Është mirë që kanë kohë loje, por duke luajtur çdo tre ditë… do të ketë lodhje. Nuk jam aspak i shqetësuar për ritmin e Kylian. Këto janë zgjedhjet e menaxherit”.

Francezi nuk ka startuar në dy nga katër ndeshjet e mëparshme të Ligue 1 dhe është zëvendësuar në dy të tjerat, më së shumti kundër AS Monacos kur ai u largua në pjesën e parë. Megjithatë, ai luajti të gjitha 90 minutat kundër Nice herën e fundit në çerekfinale të Kupës së Francës dhe gjithashtu shënoi golin e hapjes të takimit për klubin.
25-vjeçari thuajse është konfirmuar se do t'i bashkohet gjigantëve të La Ligës, Real Madrid, si lojtar i lirë, por për një shumë të madhe parash në formën e një bonusi nënshkrimi. Ai mund të rikthehet në veprim më vonë këtë javë kur PSG do të përballet me Montpellier në ligë të dielën, më 17 mars.