“E meritojmë këtë titull”, Jordi Alba optimist para finales së Superkupës të Spanjës
Mbrojtësi i Barcelonës, Jordi Alba është optimist se do ta fitojnë Superkupën e Spanjës.
Barcelona do të përballet me Real Madridin të dielën, duke synuar titullin e Superkupës, që nuk e kanë fituar që sa vite.
Në konferencë për media, mbrojtësi Alba është shprehur optimist se do të arrijnë të mposhtin rivalin e përbetuar.
"Duhet të dominojmë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Është e vërtetë që kemi shumë mundësi kur sulmojmë dhe është dëshmuar se kur luajmë në pjesën e kundërshtarit ne mund t'ia dalim mirë. Mund të bëjmë më mirë, por mendoj se jemi duke bërë mirë".
Spanjolli tutje lavdëroi trajnerin Xavi Hernandez për punën e bërë, duke shtuar se Barcelona e meriton këtë titull.
"Kur arriti (Xavi) te Barcelona, njerëzit ishin shumë të emocionuar. Ai ka bërë historinë në klub si lojtar. Si trajner po bën mirë, por në fund kjo është për tituj, që është dëshira e të gjithëve".
"E shoh skuadrën shumë të bashkuar dhe mendoj se e meritojmë këtë titullin", deklaroi ai.
Optimizëm të madh për këtë sfidë ka edhe Real Madridi, me trajnerin Carlo Ancelotti që deklaroi se lojtarët e tij janë tejet të motivuar.
Ndërkohë, kujtojmë se përballja zhvillohet të dielën me fillim nga ora 20:00.
