E kryer, Bekim Maliqi kalon te Llapi
Anësori llapjan, Bekim Maliqi, shumë shpejt pritet ta finalizojë marrëveshjen me skuadrën e Superligës së Kosovës, KF Llapi, pasi ka mbetur vetëm nënshkrimi për ta bërë zyrtare kalimin, siç mëson Nacionale.
21-vjeçari, ka qenë edhe më herët pjesë e Llapit gjatë sezonit 2019/2020 dhe është i njohur me ambientin në arenën Zahir Pajaziti.

Maliqi luan në pozitën natyrale si mbrojtës i djathtë, por që pa problem mbulon edhe mesfushën dhe sulmin po në atë krah.
Tashmë mes palëve gjithçka ka përfunduar, deri në detajet e fundit, dhe nënshkrimi pritet të bëhet shumë shpejt, për të filluar me Llapin që nga faza përgatitore për pjesën e mbetur të sezonit, është mësuar nga Gazeta Nacionale.
Në gjysmësezonin që lamë pas, Bekimi u paraqit në çdo ndeshje për skuadrën nga Drenasi, Feronikeli’74, e cila gjendet e pozicionuar në vendin e parë të Ligës së Parë, Grupi A, ku luajti rol kyç në sukseset e skuadrës.

Bekim Maliqi, shquhet për kontrollim të mirë të topit dhe për depërtimet në krahun e djathtë, deri në zonën e rrezikshme, ku jo rrallëherë ka shënuar apo asistuar për bashkëlojtarët.
Këto janë edhe pikat që kanë rënë në sy të trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, për të nënshkruar me talentin nga Podujeva, të cilit ia dha mundësinë për t’u paraqitur në Superligë qysh në moshën 18-vjeçare.
Maliqi do të jetë vlerë shtesë për skuadrën e Llapit, e cila nuk është në pozitë shumë të favorshme pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, me vetëm një pikë larg zonës së rrezikshme, për të rënë nga liga.
Feronikeli’74 ishte skuadra e fundit e Bekimit, me të cilët përfundoi marrëveshjen me t’u zhvilluar ndeshja e fundit e gjysmësezonit dhe përmes rrjeteve sociale tha se do të tregonte shpejt për skuadrën e re.
Kjo është hera e tretë për mbrojtësin llapjan, që do të paraqitet për skuadrat e Superligës, pasi e nisi në moshë të re te Llapi, e pastaj u paraqit edhe te Besa e Pejës për një sezon, ku ishte nga më të dalluarit e skuadrës, e cila ndonëse u largua nga Superliga, gjatë gjithë kohës u paraqit me lojtarë të rinj në fushë, të cilët treguan paraqitje mjaft të bukura e shpeshherë prodhuan edhe befasi në kampionat.

Karrierën në futbollin senior në Kosovë e nisi në skuadrën KF Minatori, nga ku kaloi te KF Llapi në Superligë, po ashtu edhe te Besa e Pejës, ndërsa në Ligën e Parë u paraqit për Phoenix dhe Feronikeli’74.
Bekim Maliqi është një nga futbollistët më të talentuar në futbollin kosovar në pozitën që mbulon, dhe KF Llapi mund të jetë hapi i fundit për të bërë hapin e madh, për një transferim në arenën ndërkombëtare.
