E konfirmuar: Meksika ndanë rrugët me Tata Martinon
Federata meksikane e Futbollit njoftoi se trajneri që udhëhoqi skuadrën në Kupën e Botës, Gerardo Martino, është larguar nga ai post, pas dështimit për të arritur objektivat reale të kësaj kombëtareje.
Eksperienca e Meksikës në Katar përfundoi në grupe, pasi fitoi një ndeshje dhe humbi e barazoi në dy të tjera, duke grumbulluar katër pikë, që në fund ishin të barabarta me Poloninë, por kjo e fundit pati dallimin e golave më të mirë dhe si rrjedhojë meksikanët u eliminuan.
Kjo për këtë kombëtare llogaritet si një nga dështimet më të mëdha, pasi hera e fundit kur nuk kishin arritur të kalonin grupet në Botëror, ishte viti i largët 1978.

“Unë jam përgjegjës për rezultatin e kësaj ndeshje. Kontrata ime përfundoi sapo gjyqtari i takimit dha shenjë për fundin e ndeshjes, nuk ka asgjë më shumë për të bërë këtu”, ishin fjalët e Martinos në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Një fitore e Meksikës me rezultat 2:1 ndaj Arabisë Saudite, nuk ishte e mjaftueshme, pasi rezultati në ndeshjen tjetër Poloni – Argjentinë nuk ndryshoi (0:2).

Martino u angazhua si trajner i Kombëtares së Meksikës në vitin 2019, ndërkaq vinte nga një përvojë e mirë, ku më parë kishte drejtuar Argjentinën e Paraguain që i çoi deri në finale të Kupës Amerikës në vitet 2011, 2015 dhe 2016 respektivisht. Gjithashtu ai drejtoi edhe skuadrën e njohur Newell’s Old Boys dhe gjigantin spanjoll, Barcelona.
Suksesi i tij më i madh te Meksika mbetet Kupa e CONCACAF në vitin 2019, ku në finale mposhtën ShBA-në me rezultat minimal 1:0.
