E gjithë Anglia në ankth, ylli Kane nesër do t'u nënshtrohet kontrolleve mjekësore
Dita e nesërme do të jetë e rëndësishme për Anglinë në këtë Botëror, pasi ylli i saj kryesor, Harry Kane, do t’u nënshtrohet disa kontrolleve të rëndësishme mjekësore që kanë të bëjnë me një lëndim që pësoi në ndeshjen e fundit.
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, pësoi një goditje në kyçin e djathtë të këmbës në fillim të pjesës së dytë ndaj Iranit, në fitoren që “Tre Luanët” shënuan me rezultat 6:2 të hënën në Grupin B.
Vendin e tij në fushë e mori Wilson. Kyçi i këmbës së sulmuesit të Tottenham u mbulua me një fashë. Një detaj që menjëherë brengosi tifozët e Anglisë, por edhe vetë përzgjedhësin Southgate.
Kështu që, sipas raportimeve të medieve të mëdha britanike siç është “BBC”, ai nesër (të mërkurën) do t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor të detajuar rreth kyçit të këmbës ku pësoi goditje.
Harry Kane është pikë referimi për kombëtaren angleze, që dëshiron ta thejë makthin e Botërorit, duke e rikthyer – siç e quajnë ata – “në folen e futbollit” trofeun më të çmuar në nivel kombëtaresh që mungon prej 1966.

Ai numëron një statistikë të mirë me Anglinë, ku ka shënuar 51 gola në 76 paraqitje. Në fitoren e parë që arriti Anglia në këtë Botëror ai nuk u regjistrua në listën e golashënuesve, por kontributi i tij asnjëherë nuk është vënë në dyshim.
Anglia vazhdon ëndrrën për ta sjellur Botërorin “në shtëpi”
Ndeshjen e radhës në Botëror kombëtarja e “Tre Luanve” do ta luajë më 25 nëntor, kur do të përballet ndaj SHBA-ve me fillim në ora 20:00.
Një tjetër fitore do t’ia siguronte Anglisë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt. Anglia zakonisht nuk ka hasur në probleme të mëdha që ta kalojë fazën e grupeve.
Vështirësitë më të mëdha një herë fituesja e Kupës së Botës është e ditur se i has nga çerekfinalja e tutje, ku në vitet e fundit ka dëshpëruar shumë.

Përndryshe, rezultati më i mirë gjatë këtij mileniumi që Anglia ka arritur në Botëror daton me atë të fundit, të vitit 2018, kur Anglia preku gjysmëfinalen, por u mposht nga Kroacia me rezultat 2:1, edhe pse ishte e para që kishte kaluar në epërsi me anë të golit të Trippier.

Këtë vit Anglia nuk radhitet në mesin e favoritëve kryesorë njësoj sikur Franca apo Brazili, por mbetet gjithmonë një ekip me kontingjent lojtarësh cilësorë, të cilët janë të shquar në ekipet ku luajnë, e që zakonisht vijnë nga ato të Premierligës, në përjashtim të Bellingham, i cili la mbresa të mira nga sfida e fundit.

