KATAR 2022 | Anglia e dërrmon 6:2 Iranin, Bukayo Saka shkëlqen me dy gola
Anglia e ka shkatërruar plotësisht 6:2 Iranin në ndeshjen e tyre hapëse në Kupën e Botës 2022, në një ndeshje që Bukayo Saka shkëlqeu me dy gola në debutimin e tij titullar në Botëror.
Golat nga Saka, Jude Belligham, Raheem Sterling, Marcus Rashford dhe Jack Grealish i siguruan tre luanëve të udhëhequr nga Gareth Southgate një fillim të ëndërruar drejt synimit të lavdisë në Botërorin e Katarit të hënën pasdite.
Anglia tani është lidere e Grupit B me tri pikë dhe Irani i fundit pa pikë. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Shteteve të Bashkuara dhe Uellsit zhvillohet sonte në mbrëmje.
Takimi në stadiumin ndërkombëtar Khalifa nisi me një incident fatkeq për portierin e Iranit, Alireza Beiranvand, i cili u lëndua pasi u përplas kokë më kokë me bashkëlojtarin e vet. Ai u përpoq ta vazhdonte ndeshjen, por nuk qe në gjendje dhe u zëvendësua në minutën e 20-të.

Bellingham e kaloi Anglinë në epërsi në minutën e 35-të, kur shënoi me kokë pas një harkimi nga Luke Shaw. Ky ishte goli i parë për kombëtaren për yllin e Dortmundit.
Në një hapësirë prej tre minutave, Anglia shënoi edhe dy herë të tjera, falë Bukayo Sakas dhe Raheem Sterling.
Kur akrepat shënonin një orë lojë, ylli i Arsenalit shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për tre luanët. Këto dy gola ishin të parat për të në Kupën e Botës.

Mehdi Taremi e shënoi golin e parë për Iranin në minutën e 65-të, kur e mposhti Jordan Pickfordin me një goditje të fortë nga afërsia.
Marcus Rashford erdhi nga stoli për ta çuar në 5:1 epersine e Anglisë në minutën e 71-të. Sulmuesi i Manchester Unitedit shënoi me tri prekje të topit një minutë pasi erdhi në fushë.
Një tjetër zëvendësues, Jack Grealish, shënoi për golin e gjashtë dhe të fundit të Anglisë në minutën e 90-të, pasi u shërbye nga zëvendësuesi tjetër Callum Wilson.

Taremi e shënoi edhe një gol ngushëllues për Iranin në fund të takimit, duke realizuar nga penalltia. Ishte goli i tij i dytë personal në të këtë botëror.
Anglia do të përballet me Shtetet e Bashkuara të premten, ndërsa Irani me Uellsin.
Përmbledhja e ndeshjes Angli - Iran: