E bujshme: Benfica rivalizon klubet evropiane për Albion Rrahmanin
Gjiganti portugez Benfica është i interesuar për të nënshkruar me sulmuesin e Rapid Bukureshtit Albion Rrahmani.
23-vjeçari po shkëlqen në kampionatin rumun, duke qenë ylli i skuadrës pasi shënoi 13 gola dhe dhuroi tre asistime në 15 paraqitje.
Kësisoj, mediumi i besueshëm portugez “Record.pt” raporton se Benfica e ka bërë prioritet nënshkrimin me Rrahmanin gjatë verës.
Raporti shton se disa skaut të klubit e kanë vëzhguar disa herë lojtarin, si dhe ishin prezent në fitoren e Rapidit 4:0 ndaj liderit FCSB, ku Rrahmani nuk dëshpëroi duke shënuar dy gola dhe regjistruar një asistim.
Megjithatë, për t’u arritur marrëveshja nuk do të jetë aspak e lehtë pasi Rapidi tani e vlerëson kosovarin plot 8 milionë euro, pavarësisht që investuan vetëm 600 mijë euro për ta blerë nga Ballkani.
Përndryshe, Dan Sucu ka lënë të hapur mundësinë që Rrahmani të hyjë në histori si shitja më e shtrenjtë në rast që largohet në verë.
“Gjithçka varet nga ai, vetëm nga ai. Çka është e rëndësishme për t’u kuptuar është se sa para të fitojmë nga shitja, i investojmë në klub për ta përforcuar skuadrën. Të gjithë lojtarët që vijnë këtu, vijnë për të kaluar në një kampionat më të fortë, që të fitojnë edhe më shumë”.
“Nëse e bllokojmë largimin e Rrahmanit, e bllokojmë edhe arritjen e ndonjë lojtari të vlefshëm për ne”.
“Momentalisht lojtari më i shtrenjtë është Rares Ilie, që kaloi te Nice për 4 milionë euro. Gjithashtu verën e kaluar shitëm arko Dugandzic në Arabinë Saudite për 2 milionë euro”.