E ardhmja e Contes në Tottenham në dyshime, forma e keqe vazhdoi me humbjen në derbin e Londrës
Trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte, e ka në dyshim të ardhmen e tij me skuadrën londineze, pasi nuk ka pasur vazhdueshmëri në rezultate, ku në pesë ndeshjet e fundit vetëm një është fituar.
Tottenhami u mund 2:0 nga rivalët e Londrës veriore, Arsenal, të dielën, ku u njoftuan me humbjen e tyre të pestë në 10 ndeshje në të gjitha garat.

Sipas Daily Mail, italiani ka qenë nën presion te Spurs pasi drejtuesit e klubit hezitojnë të aktivizojnë opsionin e tyre për të zgjatur kontratën e tij me 12 muaj të tjerë.
Nëse Spurs vendosin të mos shkarkojnë Conte gjatë sezonit aktual dhe vendosin të mos ia zgjasin kontratën sipas marrëveshjes paraprake, ai do të largohet nga klubi në fund të sezonit kur i skadon kontrata.

Tottenhami është në vendin e pestë në Premierligë me pesë pikë pas Manchester United, i cili zë vendin e fundit që garanton hyrjen në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
53-vjeçari ka minimizuar shanset e Spursave për t'u kualifikuar në garën më të madhe për klube, duke thënë se ekipit të tij i mungojnë lojtarët kreativ, teksa ka qenë shumë i zëshëm në afatin kalimtar veror, ku në çdo mundësi që ka pasur është shprehur se kampi momental nuk është i mjaftueshëm për të garuar me skuadrat më të fortë në botë.

Skuadra e Contes është sërish në aksion të enjten, kur përballet me kampionët në fuqi të Premierligës, Manchester Cityn, jashtë shtëpisë, me qytetarët që gjithashtu po kërkojnë këndelljen pas rezultateve jo të mira.

