Conte: Jemi keq me lëndimet, uroj të mos më duhet t’i vendosi atletet sërish për të luajtur vetë
Antonio Conte ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së radhës që skuadra e tij do ta luajë në kampionat kundër Newcastlen ditën e diel. Ai është shprehur shumë i brengosur rreth lojtarëve që ka të lënduar.
Tottenhami shënoi humbje në derbin e mesjavës ndaj Manchester Unitedit me rezultat 2:0. Më shumë sesa vetë disfata, elementi që po shqetëson më së shumti trajnerin italian të “spursave” është përballja me lëndimet e shumta dhe të rëndësishme.
Në lidhje me këtë çështje Conte foli në konferencën e rregullt javore që mban në prag të zhvillimit të ndeshjeve të Premierligës.
“Duhet t’i kryqëzojmë gishtërinjtë për Kane dhe Son. Tani janë mirë dhe shpresoj që nuk do të ndryshojë asgjë, në të kundërtën do të më duhet t’i rivendosi atletet për të luajtur vetë”, ironizoi ai.
Një tjetër lojtar që nuk do të mund të jetë në gatishmëri të Tottenhamit në ndeshjet në vijim është përfaqësuesi suedez, Dejan Kulusevski. Lëndimi i tij mësohet se është më i rëndë seç dukej në fillim. Kështu të paktën informoi Conte.
“Besoj që do të duhet të presim paksa për ta parë sërish me ne. Jam i shqetësuar sepse rikuperimi i tij ishte duke shkuar mirë dhe pastaj situata u përshkallëzua në një çast të vetëm. Nevojitet kohë për të, por stafi ynë mjekësor duhet të bëjë çmos që ta riaftësojë në gjendje për të luajtur sa më parë, sepse do të mund të na kushtojë në kontekstin e pikëve”, përfundoi ai.
Tottenham ka filluar të lëshojë pikë në kampionat
Pas dy fitoreve radhazi që shënoi në kampionat, Tottenham me pikët që humbi në “Old Trafford”, bëri që Chelsea t’i afrohej në vetëm tre pikë. Duke ditur se skuadra e udhëhequr nga Potter ka një ndeshje më pak të zhvilluar në raport me Tottenhamin, bën që t’i rrezikohet edhe rehatia në katërshen e madhe. Gjatë muajit të fundit Tottenham ka pësuar dy humbje. Në të dy rastet humbjet u pësuan nga ekipeve të mëdha: Arsenal dhe Manchester United.
Një ndeshje më pak ka edhe Manchester United që është mbrapa në tabelë me katër pikë. Nëse do ta fitonte ndeshjen që i duhet ta rikuperojë, do t’i afrohej Tottenhamit në vetëm një pikë.

Pra, ekipi verior londinez ka filluar të lëshojë terren. Duke i shtuar edhe lëndimet e shumta tani, papritmas rrezikohet që të komprometohet faza e parë e kampionatit, e cila në një masë përfundon në fundin e javës së dytë të nëntorit, kur skuadrat do ta luajnë xhiron e fundit të kampionatit, para se lojtarët të udhëtojnë me kombëtaret respektive për të marrë pjesë në Kupën e Botës.
