Dyshimet për korrupsion në FFK: Policia i merr në pyetje edhe katër zyrtarë të federatës - NACIONALE

Dyshimet për korrupsion në FFK: Policia i merr në pyetje edhe katër zyrtarë të federatës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe katër zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë marrë në pyetje sot nga Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, nën dyshimin për keqpërdorimin e parasë së federatës dhe zhvatje, njoftoi policia.

Policia në bashkëpunim me prokurorin e Prishtinës i morën në pyetje zyrtarët e shtëpisë së futbollit të martën paradite, vetëm dy javë pasi kreu i FFK-së Agim Ademi u vendos në arrest shtëpiak prej 30 ditëve i dyshuar për të njëjtin rast.

Sot me datë 04.04.2023, në vazhdën e hetimeve të zhvilluara në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), kanë intervistuar katër persona nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurin dhe interesat e FFK-së”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës.

Zyrtarët dyshohet se e kanë shkelur detyrën zyrtare duke i blerë veturë një personi të huaj me paratë e FFK-së.

Vetura që dyshohet se u ble dhe pastaj u regjistrua në emër të një zyrtari tjetër të FFK-së, është sekuestruar nga policia.

Personat e dyshuar, dyshohet se kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj ti sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture. Andaj si rezultat i hetimeve të realizuara nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, dyshohet se vetura e lartcekur në mënyrë të kundërligjshme është përvetësuar dhe regjistruar në emër të personit privat në FKK, andaj e njëjta është sekuestruar”, njoftoi policia.

Ata u liruan pas intervistimit, por hetimi ndaj tyre për veprat penale “keqpërdorim i besimit” dhe “shmangia nga tatimi” vazhdon.

Lajme të ngjashme