Dybala: Juventus kërkoi që të heqnim dorë nga katër muaj pagë - NACIONALE

Dybala: Juventus kërkoi që të heqnim dorë nga katër muaj pagë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“SportItalia” ka publikuar dëshminë që ka dhënë Paulo Dybala para gjyqësorit italian, ku rrëfente se si Juventus u kishte kërkuar lojtarëve që të heqnin dorë nga katër muaj pagë.

Juventus u dënua me -15 pikë në renditjen tabelore javën e kaluar nga Tribunali Sportiv Italian, pasi u konstatua se disa transferime që ka bërë në vitet e fundit kanë qenë me qëllim të fryerjes së çmimeve dhe mashtrimit me to. Mirëpo, odiseada e Juventusit duke u ballafaquar me gjyqësorin sportiv mund të mos përfundojë me kaq.

Drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalët e vet sa i takon një tjetër vepre penale mbi të cilën po akuzohen “bardhezinjtë”, e që ka të bëjë me pagat e lojtarëve pas shpërthimit të Covid-19. Juventus kërkonte që ta bënte një marrëveshje të fshehtë me lojtarët e saj.

“SportItalia” sot ka zbuluar detaje tjera nga dëshmia e Dybalas: “Propozimi ishte që të mos gëzonim katër muaj paga (nuk më kujtohen saktë se për cilët muaj bëhej fjalë). Ne nuk ishim dakord, sepse nuk dëshironim që të heqnim dorë nga aq shumë paga mujore.”

Sulmuesi argjentinas ka treguar se si kanë mbetur të habitur nga një propozim i tillë: “Marrëveshje ishte që nga ato katër muaj pagë, ne do t’i gëzonim tre prej tyre në sezonin vijues dhe një tjetër do ta jepnim për bamirësi. Kur na thanë që të privoheshim nga katër muaj pagë, kemi mbetur të shokuar dhe shumë nga ne kanë thënë ‘jo’.”

Ylli i Romas, që atëbotë ishte pjesë e Juventusit, tregoi edhe se si kishin arritur deri në një ujdi mes palëve, e cila u respektua më pas.

“Ne atë vit kemi hequr dorë nga katër muaj pagë. Me siguri të plotë tre prej tyre do të na paguanin gjatë vitit tjetër dhe një do e linim për bamirësi. Kjo ka qenë marrëveshja përfundimtare”, deklaroi ai.

Javëve ose muajve në vazhdim, Tribunali Sportiv Italian do ta japë verdiktin e vet edhe sa i përket kësaj çështje. Nuk përjashtohet mundësia që të shtohet numri i pikëve që do t’i hiqen “Zonjës së Vjetër” nga renditja tabelore nëse u referohemi raportimeve të gazetave sportive nga Italia.

Lajme të ngjashme