Dukagjini e mposht lehtësisht Fushë Kosovën në udhëtim - NACIONALE

Dukagjini e mposht lehtësisht Fushë Kosovën në udhëtim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar ndeshja e mbetur e javës së 15-të mes Fushë Kosovës dhe Dukagjinit, me këta të fundit që kanë shënuar fitore të rehatshme 3:0, për t'u largua nga zona e poshtme e tabelës.

Skuadra mysafire ishte dominuese në këtë takim, duke pasur disa raste shënimi e duke kontrolluar tempon e lojës në tërësi.

Zhvillohej minuta e 17-të kur Redon Syla i asistuar nga Blerind Morina, e gjeti golin e parë të takimit, për 1:0.

Pas këtij goli, Dukagjini pati edhe tre shanse të arta deri në përfundim të pjesës së parë, por njëra u prit nga portieri Rugji e dy të tjera shkuan pranë portës dhe me rezultatin 1:0 u mbyll pjesa e parë.

Vetëm pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë, 'Hithat' e gjetën edhe golin për 2:0. Kësaj radhe shënoi Bujar Shabani.

Në vazhdim Fushë Kosova u këndell sado pak dhe nisi të kërkonte golin, ku edhe e arriti me anë të Endrit Bahollit, por që dy minuta më vonë VAR e anuloi atë.

Deri në fund të takimit, Dukagjini shënoi edhe një herë. Ishte zëvendësuesi Altin Mërlaku që gjeti golin për rezultatin përfundimtar 3:0 në minutën e 81-të.

Me këtë fitore Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë, por tani me pikë të barabarta me Malishevën e vendit të pestë, pra 20, ndërsa Fushë Kosova në vendin e nëntë, me vetëm një pikë më shumë se vendi i fundit Liria.

Lajme të ngjashme