Drita shënon fitore të vlefshme në udhëtim te Malisheva, Gjilani humb në fund ndaj Llapit - NACIONALE

Drita shënon fitore të vlefshme në udhëtim te Malisheva, Gjilani humb në fund ndaj Llapit

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Sot janë zhvilluar dy ndeshje të javës së tetë të Superligës së Kosovës, ku Gjilani humbi në shtëpi ndaj Llapit në kryendeshjen e javës, ndërsa Drita ka arritur fitore me rezultat 4:2 në udhëtim te Malisheva, për mbetur e vetme në krye të tabelës.

Gjilani – Llapi

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, prodhoi një gol të vetëm, atë të mysafirëve, por që kryesisht ishte ndeshje shumë e ngadalshme nga dy skuadrat.

Pak më e mirë gjatë tërë takimit ishte Gjilani me disa raste të lehta, por në disa raste ishte portieri llapjan, Ilir Avdyli që reagoi.

Edhe pse rastet më të mira gjatë gjithë takimit i takuan Gjilanit, Llapi e shfrytëzoi një rast mjaftë të mirë, një nga të rrallët në këtë ndeshje, që doli të ishte goli i fitores pastaj.

Ishte Festim Alidema ai që asistoi për golin e vetëm të shënuar nga Kushtrim Shabani për 1:0 në minutën e 82-të.

Me këtë humbje, Gjilani mbetët në pozitën e dytë por tani me tre pikë më pak se lideri Drita, që fitoi në ndeshjen tjetër, teksa ndiqet nga Prishtina me 11 pikë me dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe nga Ballkani me nëntë pikë më pak në katër ndeshje të zhvilluara. Në anën tjetër Llapi me tre pikë të fituara, lëvizë në pozitën e gjashtë me tetë pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Drenica në një pozitë më lartë.

Malisheva – Drita

Në Liman Gega të Malishevës u zhvillua ndeshja tjetër e javës së tetë, ku vetëm pjesa e parë ishte e baraspeshuar, ku dy skuadrat shënuan nga një gol, teksa Intelektualët shënuan edhe tre gola në pjesën e dytë kundrejtë një tjetri të shënuar nga vendasit, për të vazhduar e vetme serinë pa humbje në Superligën e Kosovës.

Fillimisht llogarinë e hapi Besnik Krasniqi i Dritës që shënoi për 1:0 nga pika e penalltisë në minutën e nëntë, teksa pas 12 minutave erdhi goli i barazimit, saktësisht në minutën e 21-të shënoi Marc Olivier për 1:1.

Me këtë rezultat dy skuadrat shkuan në pushim.

Me të nisur pjesa e dytë, Drita u tregua këmbëngulëse, duke treguar se kishte udhëtuar për fitore.

Ishte sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski, që shënoi për 2:1 në minutën e 52-të, teksa nuk vonoi as goli i tretë, të cilin e shënoi Almir Kryeziu 12 minuta më vonë për 3:1.

Golin e fundit për Dritën e shënoi Almir Ajzeraj në minutën e 77-të të takimit për rezultatin 4:1.

Teksa vendasit shënuan edhe një gol, por aq ishte fuqia e tyre. Për 4:2 shënoi Drilon Hazrollaj, që doli të ishte epilogu final i takmit.

Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi për Intelektualët që shënojnë katër gola, pas derbit të Anamoravës në mes javë.

Renditja në Superligën e Kosovës

Lajme të ngjashme