Drita s’e shfrytëzon formën e dobët të Ballkanit për ta kaluar në renditjen e Superligës - NACIONALE

Drita s’e shfrytëzon formën e dobët të Ballkanit për ta kaluar në renditjen e Superligës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drita nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një pikë nga përballje e drejtpërdrejt me një skuadër jashtë forme të Ballkanit, duke barazuar 1:1, për ta kaluar në renditje kampionin në fuqi të Kosovës.

Ndërkohë, në ndeshjen fundit të javës së 24-të në Superligë, Gjilani barazoi pa gola me Prishtinën të enjten.

Në prag të kësaj përballjeje, Drita ishte e vetëdijshme se me një fitore në Suharekë do ta kalonte në tabelë Ballkanin, por duhej të dilte e kënaqur me një pikë në fund, veçanërisht kur Ilir Blakçori e shpëtoi një gol të sigurt të vendasve duke e hequr topin nga vija e portës.

Ballkani – për të cilin ky ishte barazimi i tretë radhazi – tani ka 50 pikë në vendin e parë, dy më shumë se Drita në vendin e dytë.

Gjilani është i treti më 39 pikë, e ndjekur nga Prishtina me 32. Dukagjini dhe Llapi kanë nga 29 pikë në vendet pesë dhe gjashtë.

Ballkani pati fillim më të mirë të lojës në Suharekë dhe Edvin Kuç e kaloi skuadrën e Ilir Dajës në epërsi pas vetëm 17 minutave lojë, duke shuar me kokë, pas një harkimi nga Astrit Thaqi.

Leonat Vitija e barazoi rezultatin për Dritën në minutën e 35-të, para se skuadrat të shkonin në pushimin mes pjesëve.

Me kalimin e kohës, veçanërisht në fillim të pjesës së dytë, Drita ishte më bindëse dhe u përpoq më shumë për të shënuar.

Blend Baftiu e goditi shtyllën rreth dhjetë minuta brenda pjesës së dytë.

Drita e fitoi një penallti dy minuta më vonë, por gjyqtari Genc Nuza e ndryshoi vendimin pas rishikimit të rastit në ekranin e VAR-it.

Ballkani tentoi në vazhdim përmes Lindon Emerllahut dhe Albion Rrahmanit, por goditjet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për ta mposhtur Faton Malokun.

Sikur të mos ishte për Ilir Blakçori, Drita do të ishte kthyer plotësisht duarthatë nga Suhareka, pasi mbrojtësi anësor e shpëtoi skuadrën e vet nga pësimi i një gol në kohën shtesë, duke e larguar topin nga vija e portës.

Lajme të ngjashme