Drita e mposht Llapin, fiton Ballkani e gabon Prishtina - NACIONALE

Drita e mposht Llapin, fiton Ballkani e gabon Prishtina

2 javë më parë

nga NACIONALE

Drita e ka fituar kryederbin e xhiros si mysafir i Llapit, derisa Ballkani ka kryer detyrën ndaj Lirisë së Prizrenit dhe Prishtina u ndal në një barazim te Feronikeli ’74.

E tërë vëmendja padyshim ishte në “Zahir Pajaziti”, mes dy kandidatëve për titull – ku Drita i arkëtoi pikët e plota me rezultat minimal 0:1.

Si Llapi ashtu edhe Drita kishin raste të shumta por që iu mungoi konkretizimi i tyre.

Dallimin e bëri mesfushori Blendi Baftiu, që pas një asistimi të bukur së Mesas i dha epërsinë Dritës (42’).

Llapi tentoi ta barazonte rezultatin, me talentin Elvir Gashijani që kishte dy raste të mira por dështoi t’i finalizonte.

Kësisoj, Drita mban pozitën e tretë në tabelë me 54 pikë aq sa ka edhe Llapi në vendin e dytë, derisa Ballkani tani rimerr kreun.

Ballkani i ka arkëtuar pikët e plota ndaj Lirisë së Prizrenit, me një fitore komode 2:0.

Edhe pse në pjesën e parë, vendasit bën paraqitje të zbehët – u këndellen në 45-minutëshin e dytë për t’i arkëtuar pikët e plota.

Nazmi Gripshi me një goditje të bukur i dha epërsinë Ballkanit (71’), ndërsa fitoren e vulosi krejt në fund kapiteni Edvin Kuc (90+2’).

Prishtina ndërkohë ka dëshpëruar në udhëtim te Feronikeli ’74.

Edhe pse ishte skuadër më e mirë, ‘Bardhëkaltërit’ sërish kanë vuajtur për t’i finalizuar goditjet andaj edhe s’i arkëtuan pikët e plota.

Prishtina renditet në pozitën e gjashtë me 40 pikë ndërsa Feronikeli në vendin e tetë me 30 sosh.

Lajme të ngjashme