Drita e fiton derbin ndaj Gjilanit, Dukagjini e Nikli ’74 ndajnë pikët
Drita ka fituar derbin kundër Gjilanit, derisa Dukagjini ka barazuar kundër Feronikelit ’74, në kuadër të xhiros së tetë në Superligën e Kosovës.
“Intelektualët” triumfuan me rezultat komod 2:0, sfidë që ishte shumë interesante nga minuta e parë.
Tifozët e Dritës fillimisht dhanë një koreografi ku shkruhej “Kur ushtria juaj të kthehet në tokën tonë”, me katër varreza (terroristët e vrarë në Banjskë) si kundërpërgjigje e tifozëve nacionalistë serbë të Crvena Zvezdes.
Drita ishte më e mirë nga minuta e parë, duke kaluar në epërsi përmes Almir Ajzeraj që realizoi pas një asistimi të Blerim Krasniqit (32’).
Kurse, fitoren e vulosi Ardit Tahiri me një goditje të saktë pas një tjetër aksioni të shpejtë (78’).
Me këtë trepikësh, Drita renditet në pozitën e tretë me 15 pikë derisa Gjilani bie në vendin e shtatë me shtatë sosh.
Në anën tjetër, Dukagjini dhe Feronikeli ’74 kanë ndarë pikët në “18 Qershori”.
Përballja ishte shumë e barabartë nga minuta e parë, me dy skuadrat që kishin disa raste shënimi.
Nikli 74’ kaloi fillimisht në epërsi mirëpo që u anulua për pozitë jashtë loje nga VAR-i.
Ishte Dukagjini që kaloi në avantazh përmes Iljasa Zulfijit në përfundimin e pjesës së parë (45+4’).
Sidoqoftë, mysafirët s’u dorëzuan duke barazuar rezultatin me një gol të bukur me kokë (50’).
Dukagjini tani ngrihet në pozitën e gjashtë në tabelë me tetë pikë derisa Feronikeli renditet në vendin e tetë me shtatë sosh.
