Dramë në PSG: Mbappe dëshiron largimin e Neymarit nga skuadra - NACIONALE

Dramë në PSG: Mbappe dëshiron largimin e Neymarit nga skuadra

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrëdhëniet mes Kylian Mbappes dhe Neymarit në Paris Saint-Germain janë përkeqësuar tej mase këtë sezon, duke e kërcënuar seriozisht harmoninë brenda ekipit, sipas gazetës franceze L’Equipe.

Raportohet se Mbappe nuk e dëshiron më Neymarin në ekip, derisa për brazilianin thuhet se është i habitur nga ndikimi që i është lejuar francezit mbi ekip këtë sezon.

Ndikimi i 23-vjeçarit në skuadër është rritur qëkur ai u bind për të nënshkruar marrëveshje të re dhe për ta refuzuar Real Madridin në verë.

L’Equipe raporton se marrëdhëniet mes dy yjeve të skuadrës janë përkeqësuar shumë që prej fillimit të sezonit të ri.

Sipas të përditshmes franceze, Mbappe ka bërë trysni për shitjen e Neymarit – i cili është pjesë e PSG-së që prej vitit 2017 – gjatë verës pasi drejtori i ri sportiv Luis Campos filloi rindërtimin e skuadrës.

Megjithatë, largimi i Neymarit nuk ndodhi dhe ai është i bindur tani se Mbappe kishte tentuar t’i bindte drejtuesit e klubit ta shisnin.

Derisa dy lojtarët mund të buzëqeshin në publik për t’u shtirur se gjithçka është në rregull – dhe i festojnë golat së bashku – mbrapa skenave gjërat janë përkeqësuar.

Lionel Messi është duke vepruar si ndërmjetës për ta mbajtur në binarë sezonin e PSG-së, sipas L’Equipe.

Derisa asnjëri futbollist nuk e ka adresuar këtë çështje gjatë ndeshjeve të kombëtareve, shumë gjëra mund të kuptohen mes rreshtave.

Mbappe, duke folur pas fitores së Francës kundër Austrisë, tha: “Me Francën kam shumë më shumë liri. Në Paris është ndryshe, s’e kam këtë liri.”

Ndërsa Neymari, u pyet për marrëdhëniet me Mbappen pas fitores së Brazilit kundër Ganës dhe përgjigja e tij ishte: “Me Kylian”, dhe pastaj u largua.

Ata patën mosmarrëveshje edhe në fushë për një penallti në fitoren e PSG-së 5:2 kundër Montpellier në gusht.

Mbappe e kishte humbur një penallti më herët dhe mendonte se do ta gjuante edhe të dytën kur PSG-ja e fitoi një tjetër njëmbëdhjetëmetërsh.

Megjithatë, Neymari e mori topin dhe gjuajti dhe shënoi. Mbappe shënoi gol më vonë dhe refuzoi të festojë, gjë që i bezdisi bashkëlojtarët e tij.

Lajme të ngjashme