Dorëzohet Pique, paralajmëron pensionimin nga futbolli gjatë kësaj fundjave
Në mënyrë të rrufshme dhe të befasishme Gerard Pique ka paralajmëruar pensionimin nga futbolli. Këtë gjë e kumtoi vetë ai, duke thënë se të shtunën ndaj Almerias do ta luajë ndeshjen e tij të fundit si futbollist profesional.
Kjo e shtunë nuk do të jetë e zakonshme për Piquen. Pesëmbëdhjetë (15) sezone me Barcelonën, shumë tituj të fituar. Një karrierë e përmbushur me trofe, kritika dhe lëvdata. Piquen e kanë shoqëruar të gjitha ekstremet gjatë karrierës së tij.
Në një video të publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Twitter”. Ai zgjodhi publikimin e një video për t’i paralajmëruar tifozët e Barcelonës dhe gjithë ndjekësit e tij se të shtunën do t’ia thotë lamtumirën e fundit futbollit si futbollist aktiv.
Culers, us he de dir una cosa. pic.twitter.com/k3V919pm1T
— Gerard Piqué (@3gerardpique) November 3, 2022
Një dalje e tillë, kur sezoni nuk ka ardhur as në gjysmën e tij, për shumicën e njerëzve është konsideruar si diçka e papritur. Pak herë ka ndodhur që futbollistët në një kohë të tillë të marrin vendime të ngjashme.
Fjalët me të cilat Pique paralajmëroi pensionimin nga futbolli
Një video që u publikua në formë të paparalajmëruar dhe të befasishme, por që emocionoi miliona tifozë të futbollit gjithandej, për shkak se aty u shpalos një lidhje natyrale e tij me klubin që prej fëmijërisë.
Pique gjatë videos sqaroi se nuk ka ndër mend që të luajë në asnjë skuadër pas kapitullit te Barcelona, duke treguar edhe se çka e shtyu të marrë këtë vendim.
“Kam vendosur që ka ardhur koha ta mbylli këtë cikël. Gjithmonë kam thënë që pas Barcelonës nuk do të ketë një tjetër skuadër për mua dhe kështu do të ndodhë”, shtoi ai.

Më pas, deklarativisht pohoi fjalët që as tifozët më kritikë të tij nuk do i prisnin: “Në këtë të shtunë do ta luaj ndeshjen time të fundit në ‘Camp Nou’.”
Kujtojmë se Barcelona të shtunën me fillim në ora 21:00 do të luajë si vendëse ndaj Almerias në kuadër të javës së 13-të të La Ligas.
Një historik i karrierës së bujshme te Barcelona
Mbrojtësi 35-vjeçar gjatë këtij kampionati ka luajtur vetëm tri herë si titullar, ndërsa në dy raste tjera është futur në lojë nga pjesa e dytë.
Ai ishte transferuar te Barcelona nga Manchester Unitedi, në një periudhë kur nuk vlerësohej edhe shumë tek ambienti i “djajve të kuq”. Guardiola besoi tek ai dhe kështu filloi rrugëtimi përrallor me Barcelonën nga vera e 2008-ës.

Pique cilësohet si njëri prej mbrojtësve më të rëndësishëm në historinë e klubit. Deri më tani ka luajtur në 615 ndeshje si lojtar i Barcelonës, duke shënuar 53 gola. Bëhet fjalë për lojtarin e pestë që ka luajtur më së shumti ndeshje me fanellën “blaugrana”.
Sa i përket karrierës së tërësishme, ka fituar 34 tituj në nivel klubesh, si dhe dy trofe shumë të çmuar, si Evropiani 2008 dhe Botërori 2010.

Sado që trajnerë të shumtë kanë defiluar te Barcelona gjatë kësaj një dekade e gjysmë, nga Guardiola te Xavi, duke kaluar te Vilanova, Martino, Enrique, Valverde dhe Setien – për të gjithë ai ka qenë titullar, deri në këtë fazë, ku lëndimet e shumta dhe përgatitja jo e duhur fizike, ndikuan në një rënie të lirë të formës.
Duhet theksuar se gjatë këtij sezoni Xavi ia kishte bërë të qartë atij se aktivizimi në lojë do të ishte reduktuar. Në hierarkin e mbrojtësve ai kaloi i pesti qendërmbrojtës i ekipit.
Barcelona kishte siguruar që gjatë verës janë zhvilluar disa negociata për të ardhmen e lojtarit, duke saktësuar se ishin pajtuar që do i përkiste lojtarit që ta merrte një vendim përfundimtar. Vendim që erdhi më 3 tetor, sot, në një ditë të befasishme dhe të papritur, por edhe të mërzitshme për tifozët e Barcelonës, duke ditur kontributin e tij gjatë këtyre viteve.

