Dorëzohet Barcelona, nuk dëshiron ta vazhdojë më garën me Chelsean për Kounde
Jules Kounde është çdoherë e më pranë Chelseat. Këtë gjë e ka kuptuar edhe Barcelona, që ka vendosur të mos i bëjë më konkurrencë klubit londinez.
Për shërbimet e mbrojtësit francez 23-vjeç, Jules Kounde, ka një kohë të gjatë që Chelsea dhe Barcelona duelizojnë njëra me tjetrën.
Më konkreti deri më tani është treguar klubi anglez, i cili ia paraqiti Sevillas ofertën e fundit prej 64 milionë euro.
Paraqitjet e Kounde të shkëlqyera në La Liga gjatë dy sezoneve të fundit kanë shtyrë skuadrën e Tuchel që ta dëshirojë me çdo kusht.
Tërheqja e Barcelonës
Sipas medieve spanjolle, Barcelona me ta kuptuar se Chelsea ka bërë edhe ofertën e dytë, ka vendosur që të tërhiqet nga gara për mbrojtësin francez.
Klubi katalonas mendon se shifra prej 64 milionë eurosh është e lartë dhe nuk mund ta bëjnë një të ngjashme. Me çkas, i hapet rruga e plotë Chelseat që ta finalizojë sa më parë marrëveshjen me klubin andaluzian.
Sevilla tani nuk mund të luajë me dy karta siç ka bërë gjatë javëve të fundit duke blerë kohë vazhdimisht. Barcelona edhe pse akoma vuan nga një krizë financiare, nuk po rresht së përgatituri për fillimin e sezonit të ri, me afrime cilësore si Kessie, Raphinha dhe Lewandowski.
Chelsea akoma pret përgjigje
Edhe nëse konfirmohet se klubi londinez është i vetmi në garë për ta siguruar kartonin e Jules Kounde, prapëseprapë drejtuesit e Chelseat ende janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare të Sevillas rreth ofertës së fundit që kanë bërë prej 64 milionë eurove.
Pesë vjet kontratë do t'i ofrohej Koundes nëse çdo gjë shkon në drejtimin e duhur. Vetë mbrojtësi ia ka bërë të qartë klubit të tij aktual se dëshiron të largohet për ta sfiduar veten në një ambient të ri.
Chelsea deri më tani ka bërë një investim të rëndësishëm në mbrojtje siç është ai i Koulibaly. Koncentrimi i Tuchel për ta përforcuar repartin e mbrojtjes vjen edhe si rrjedhojë e të metave që janë vënë re gjatë sezonit të fundit.


