“Do të punojmë që të dalim të parët”, optimizëm i madh nga FFK-ja për Ligën e Kombeve - NACIONALE

“Do të punojmë që të dalim të parët”, optimizëm i madh nga FFK-ja për Ligën e Kombeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit të Kosovës, më saktësisht kryetari Agim Ademi dhe ish portieri tani zëvendës/drejtor Samir Ujkani kanë shprehur optimizëm që do ta fitojmë grupin C të Ligës së Kombeve.

Kosova mësoi kundërshtarët në Ligën e Kombeve, ku do të përballet me Rumaninë, Qipron dhe fituesin e ndeshjes Lituani/Gjibraltar.

E pas shortit, duket se të kënaqur kanë dalë krerët e FFK-së që vlerësuan se Kosova mund ta fitojë grupin.

Është një grup korrekt. E kemi prap kundërshtare Rumaninë, me të cilën u përballëm së fundmi edhe në kualifikimet për Euro 2024. Po ashtu, edhe Qipro është një Kombëtare me të cilën jemi ndeshur dhe e njohim mirë, ndërsa Lituani/Gjibraltar do ta shikojmë se cila do të jetë pjesë e grupit dhe më pas e analizojmë. Gjithsesi ne duhet të shikojmë vetëm veten dhe të kemi besim tek ekipi. Duhet të punojmë të gjithë bashkë për suksesin dhe të dalim të parët në këtë grup”, tha Samir Ujkani.

Ndërsa, Ademi deklaroi se Kosova i njeh mirë kundërshtarët dhe mund të dalin triumfues në fund.

Janë ekipe që i njohim dhe sigurisht që presim rezultate të mira. Uroj që ekipi ynë të ketë sa më pak lëndime dhe të kemi ekipin standard gjatë këtij edicioni. Duke pasur parasysh formën e futbollistëve dhe suksesin që ata po e tregojnë me ekipet e tyre jam optimist. Shpresoj që atë formë të mirë nga klubet ata ta transferojnë edhe në ekipin kombëtar dhe të dalim triumfues. Besoj në ekipin tonë dhe është mirë që para fillimit të edicionit të Ligës së Kombeve do t’i kemi katër ndeshje miqësore, në të cilat trajneri ynë i ardhshëm do të ketë mundësi ta krijojë ekipin që do të jetë fitues i këtij grupi. Uroj që kjo të ndodhë dhe të ecim tutje në një rang më të lartë”.

Sa i përket përballjes me Rumaninë dhe problemeve që Kombëtarja e Kosovës pati në Bukuresht, i pari i FFK-së shtoi: “E njohim Rumaninë dhe e dimë si kemi kaluar atje. Por, ne do të fokusohemi vetëm në ndeshje, gjërat tjera do t’i menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, natyrisht duke e pasur edhe kujdesin e UEFA-s”.

Kosova do t’i zhvillojë katër miqësore para se të nis këto kualifikuese në muajin shtator, derisa ende nuk dihet se kush do të jetë përzgjedhësi i ri i “Dardanëve”.

Lajme të ngjashme