Ditën trajner, natën analist në TV: Batatina e fajëson haptazi lojtarin e vet, e kritikon Dritën
Tahir Batatina e ka gozhduar drejtpërdrejt në televizion njërin nga lojtarët e vet, derisa bëri edhe komente ksenofobe ndaj Dritës për emërimin e një trajneri grek, në një kohë kur Llapi i tij po kalon nëpër një formë të dobët këtë sezon.
Batatina, 44 vjeç, familja e se cilit e ka në pronësi klubin nga Podujeva, nuk hezitoi ta veçojë me emër mesfushorin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Gerhard Progni, pas barazimit të skuadrës së tij kundër Prishtinës të dielën në Fadil Vokrri.
“Dy transferime të Llapit nuk kanë qenë të qëlluara. Njëri nga ta është Progni, që nuk jep asgjë për Llapin”, tha Batatina të dielën mbrëma në ATV, duke mos e zbuluar emrin e lojtarit tjetër.
Derisa është gjë shumë e rrallë për një trajner ta kritikojë haptazi në publik një lojtar të vetin, nuk ndodh asnjëherë që kjo të bëhet nga trajneri duke folur si analist i Superligës, rol të cilin Batatina e luan çdo javë nëpër televizionet vendore derisa është i zënë si trajner dhe drejtor sportiv i Llapit.
Llapi ka tri ndeshje radhazi pa fitore në ligë, një humbje dhe dy barazime, dhe përballet me një detyrë pothuajse të pamundur për ta siguruar një vend në kualifikime për garat evropiane sezonin e ardhshëm, raporton Nacionale.
Kur kanë mbetur vetëm pesë ndeshje deri në përfundim të sezonit, skuadra e Batatinës është e gjashtë me 41 pikë, gjashtë larg zonës së Evropës.
Llapi ra edhe nga Kupa e Kosovës pas disfatës kundër Gjilanit në gjysmëfinale dhe rrezikon të mbetet plotësisht duarthatë këtë sezon.
Duke folur në emisionin e njëjtë, Batatina – ardhmja e tij në Llap nuk ka qenë asnjëherë në dyshim për shkak të lidhjeve familjare – e kritikoi Dritën për emërimin e trajnerit grek Akis Vavalis, duke i vënë në pikëpyetje cilësitë e tij dhe duke u lëshuar në komente ksenofobe.
“Kam informacione se trajneri i ri i Dritës nuk merr rrogë mujore, por ka ardhur vetëm të promovohet në futbollin kosovar. Ky ka ardhur në Kosovë ta pasurojë CV e tij. Drita është sigurt në Evropë, dhe kjo do të jetë promovim për të”, tha ai.
Ai shtoi: “Drita e ka harru të kaluarën që e kemi ne si popull me Greqinë".
Vavalis debutoi me fitore në stolin e Dritës, duke e udhëhequr atë drejt triumfit 3:0 kundër Ferizajt.
Drita tani merr kreun e Superligës me 63 pikë, një më shumë se kampioni në fuqi Ballkani.
