Dita e dytë në Australian Open: Murray e rrëzon favoritin, Djokovici rikthehet bindshëm, i nxehti i madh shkakton kaos
Ka përfunduar edhe dita e dytë e Grandit Slamit, Australian Open dhe si rrjedhojë ka përfunduar edhe rrethi i 1/64, për t’u mësuar të gjitha çiftet e 1/32 së finales. Andy Murray shkaktoi befasi duke mposhtur italianin Matteo Berrettini pas pesë seteve, ndërsa Novak Djokovic e Casper Ruud fituan lehtësisht ndeshjet e tyre.
Fitorja e Murray ishte befasi për vetë faktin e moshës së tenistit britanik, me Berrettinin që është në një formë të mirë dhe ka renditje shumë të lartë krahasuar me 35-vjeçarin.

Në anën tjetër, Djokovic përkundër se kishte disa shqetësime e dje nuk doli të stërviste fare, sot nuk e pati problem ta mposhte spanjollin Roberto Carballes Baena 3:0 në sete, e fitore shënoi edhe numri tre i botës, Ruud, përball çekut Tomas Machac, 3:1 në sete.
Befasia e këndshme e Murrayt
Ndonëse 35-vjeçar, Murray arriti shumë mirë të mbante vetën dhe ta fitonte ndeshjen pas pesë seteve të luajtura në më pak se pesë orë. Ai ishte duke fituar 2:0 pas dy seteve të para (6:3, 6:3), por për një moment takimi mori rrjedhë tjetër.
Në vazhdim italiani fitoi dy setet e radhës (6:4, 7:6(9-7)), me britanikun që u kthye në lojë për të fituar setin vendimtar me tie-break 7:6(10-6).
Kështu numri 66 i botës e eliminoi atë të 14-in për një vend në 1/32 e finales.
Fitorja e Djokovic e Ruud
Tenisti serb, Novak Djokovic, u kthye pas dy vjetësh në një ndeshje të Australian Open dhe këtë e bëri me fitore të lehtë edhe pse kishte disa shqetësime disa ditë paraprakisht.
Fitorja erdhi në saktësisht pas dy orëve, ku fitoi 6:3, 6:4 dhe 6:0, për të ecur tutje në 1/32 e finales.
Fitore të lehtë mori edhe numri tre i botës, Casper Ruud, i cili pati një vit të suksesshëm në atë që lamë pas.
Ai mposhti çekun Tomas Machec pas katër seteve (6:3, 7:6(8-6), 7:6(7-5) dhe 6:3), në një ndeshje që zgjati tri orë e 15 minuta. Tani norvegjezi do të takohet me amerikanin Brooksby pas dy ditësh në 1/32 e finales.
I nxehti ekstrem shkakton kaos
Nëse dje shkoi gjithçka në rregull, në ditën e dytë, temperaturat e larta ishin një problem i madh, pasi shkaktuan ndërprerje të ndeshjeve prej tri orësh.
Ndeshjet u ndërprenë kur ora lokale shënonte 14:15 për të filluar pas orë 17:00.
Ndër ndeshjet që u desh të ndaleshin përkohësisht ishte ajo mes britanikut Dan Evans, i cili po fitonte 2:1 me sete në atë çast, dhe argjentinasit Facundo Bagnis.
Ndeshja rinisi pas rreth katër orëve dhe Evans fitoi 6-4 4-6 6-4 6-4 për të kaluar në rrethine e dytë.

Ndeshja në fushën kryesore, mes Andy Murray dhe Matteo Berrettini, nuk u ndërpre, pasi u zhvillua nën çati.
Po ashtu, u lejuan të zhvilloheshin edhe ndeshjet në dy fushat e tjera që kanë çati, Margaret Court Arena dhe John Cain Arena.
Ndeshjet u ndërprenë në fushat e hapura kur temperaturat arritën shkallën më të lartë të ditës, pesë, që llogaritet forca e diellit, temperatura e ajrit në hije, lagështia relative dhe shpejtësia e erës.

Rregullorja për të nxehtit ekstrem u fut në fuqi kur temperaturat arritën shkallën katër, duke ua mundësuar lojtarëve të marrin 10 minuta pushim gjatë ndeshjeve dhe të bëjnë dush apo t’i përdorin dhomat për freskim.
Shumë prej lojtarëve përdorën akull për t’u freskuar gjatë ndeshjeve në ditën e dytë të grand slamit të parë të vitit.

