Distria Krasniqi humb në finalen e Grand Prix në Zagreb, stoliset me të argjendtën - NACIONALE

Distria Krasniqi humb në finalen e Grand Prix në Zagreb, stoliset me të argjendtën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas Lojërave Mesdhetare në Oran, Distria Krasniqi doli me medalje të argjendtë nga Grand Prix që po mbahet në Zagreb.

Distria Krasniqi nuk arriti ta fitojë medaljen e artë, pasi në finale pësoi disfatë nga Uta Aben, e cila është e artë në katër turnetë e fundit në kategorinë -52KG.

Xhudistja kosovare shumë shpejt u hodh në dysheme nga kundërshtarja japoneze, falë një levizjeje wazari, e cila i solli Ipponin asaj.

Rrugëtimi i Distrias drejt të argjendtës

Rrugëtimin drejt medaljes së argjendtë, Distria e nisi në raundin e parë me qiprioten, Sofia Asvesta, të cilën e mposhti edhe në Oran. Ndeshja shkoi deri në fund, ku Distria triumfoi me wazari pas 4 minutash ndeshje.

Në raundin e dytë xhudistja kosovare u takua me zviceranen, Binta Ndiaye, të cilën e mposhti shumë shpejt me rezultat 2:0, pas vetëm 2 minuta e 10 sekonda të kaluara.

Nuk kishte si të mungonte Ipponi në një ndeshje për Krasniqin. Në ndeshjen çerekfinale kundër mongolezës, Khorloodoi Bishrelt, Distria u tregua e pamëshirshme ku pas vetëm tre minutave të kaluara e rrëzoi kundërshtaren me shpinë në tokë, për ta fituar ndeshjen me 10 pikë apo siç njihet në Judo, Ippon.

Gjysmëfinalja ishte ndoshta ndeshja më e vështirë për përfaqësuesen e Kosovës nëse nuk e llogarisim finalen. Aty Distria u takua me izraeliten Gefen Primo, të cilën njëjtë si kundërshtaren e parë e mposhti me një wazari, pasi përfundoi koha e rregullt prej katër minutave.

Flaka Hoxha u eliminua në raundin e tretë

Në tërësi, tre xhudiste nga Kosova ishin paraparë të merrnin pjesë në Grand Prix të Zagrebit. Përveç Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut (e cila do të ndeshet nesër), edhe Flaka Hoxha synoi medalje.

Megjithatë rruga asaj iu ndërpre në rrethin e tretë të garës, ku gjeti eliminimin nga xhudistja mongoleze, Ichinkhorloo Munkhsedev. Edhe në rastin e Loxhës, humbja erdhi me Ippon.

Paraprakisht ajo kishte kaluar me sukses rrethet e para dhe të dyta në kategorinë -57 KG.
Tashmë, vëmendja e tëra është e koncentruar në paraqitjen e nesërme të Laura Fazliut, nga e cila pritet një medalje.

Lajme të ngjashme