Distria Krasniqi e fiton medaljen e bronztë në Botërorin e Xhudos në Uzbekistan - NACIONALE

Distria Krasniqi e fiton medaljen e bronztë në Botërorin e Xhudos në Uzbekistan

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos 2022 në Uzbekistan, pasi e mundi Gefen Primon në garë për medaljen e tretë më të mirë.

Krasniqi, kampione olimpike, është medaliste e bronztë botërore në kategorinë -52 kilogramë, e dyta në karrierë pas Botërorit të vitit 2019, atë botë në kategorinë -48 kilogramë.

26-vjeçarja nga Peja ishte afër synimit për t’u bërë kampione botërore, por e humbi luftën gjysmëfinale nga ku përfundoi në garë për medaljen e tretë më të mirë të turneut.

Krasniqi është kampione botërore si juniore nga viti 2015, por ëndrra e saj përfundimtare është ta arrijë këtë edhe si seniore.

Në Botërorin e 2019-s, ajo kishte qenë po kaq afër, duke e fituar medaljen e bronztë po ashtu.

Pasi rrethin e parë e kaloi pa luftë, numri 8 i botës në xhudo i nisi furishëm përpjekjet për titullin e botës duke e mundur Lin Hsuanin në rrethin e dytë dhe pastaj Odette Giuffridan e Italisë në rrethin e tretë.

Krasniqi e mundi Khorloodoi Bishrelt në çerekfinale, duke shënuar pikë me wazzari, para se të ndalej në gjysmëfinale.

Kampionia olimpike e Kosovës e nisi bindshëm luftën gjysmëfinale kundër Chelsie Giles, por nuk ia doli të mbahej dhe pësoi në kohën shtesë duke e lejuar xhudistes britanike të shënojë pikë me stilin wazzari.

Kosovarja kishte rekord më të mirë në përballjet e drejtpërdrejt me britaniken, e cila është e treta në botë, duke e mposhtur në dy takimet e kaluara.

Ky ishte tentimi i parë i Krasniqit për t’u bërë kampione e botës në kategorinë -52 kilogramë, pasi deri këtë vit ajo kishte garuar në një kategorinë më të lehtë, atë -48 kilogramë.

Gjithsesi, disfata në gjysmëfinale ia mundësoi asaj të mbetet në luftë për medalje dhe Krasniqi u sigurua që të mos dëshpërojë për herë të dytë.

Ajo e mposhti izraeliten në përballje direkte për medaljen e bronztë falë një lufte agresive që e detyroi atë t’i bënte tri gabime pasiviteti që i kushtuan me tri penalizime dhe rrjedhimisht shido (karton i kuq).

Krasniqi u rendit si e treta më e mira në kategorinë -52 kilogramë, pas kampiones Uta Abe dhe finalistes Chelsie Giles.

Lajme të ngjashme