Distria Krasniqi e artë në Paris Grand Slam 2024, triumfon në finale ndaj britanikes Giles
Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka fituar të parën medalje të artë për vitin 2024, duke mbrojtur nga viti i kaluar titullin kampion në Paris Grand Slam, pasi triumfoi në finale ndaj garueses britanike Chelsie Giles.
Jo më kot, Distria, është numri një i botës në renditjen botërore dhe këtë e tregoi edhe sot me paraqitje të jashtëzakonshme.
Krasniqi rrugëtimin e saj në kategorinë deri në 52 kilogram e filloi nga raundi i dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë.
Në luftën e parë të saj pati punë me francezen Leonie Gonzalez, të cilën e mposhti lehtësisht me Ippon.
Në raundin e tretë luftoi ndaj koreanes, Seyun Jang, ku fitoi me dy Waza-ari, për t'u kualifikuar në çerekfinale.
Në 1/4 e finales përballë e kishte garuesen nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khorloodoi Bishrelt, kjo e fundit u ndëshkua me tre shido, për t'ia dhënë fitoren kosovares, fitore kjo që e çoi në gjysmëfinale.
Distria vazhdoi të impresiononte edhe në gjysmëfinale, ku u takua me të talentuaren nga Japonia, Kisumi Omori, të cilën e mposhti me një Waza-ari në Golden Score.
Me këtë fitore, Distria Krasniqi i siguroi Kosovës të paktën një medalje nga Franca, pasi kaloi në finale.
Por e ARTA e Kosovës nuk u mjaftua me kaq, pasi në finale e dominoi britaniken Chelsie Giles për ta mposhtur me një Waza-ari brenda kohës së rregullt dhe u dekorua me medaljen e parë të saj të artë për vitin 2024, duke mbrojtur titullin kampion nga Paris Grand Slam, pasi fitoi të njëjtën edhe në vitin 2023.

Nora Gjakova është garuesja tjetër nga Kosova që kërkon medaljen sot, ku do të përballet me Jessica Klimkait në finale të repesazhit për medalje të bronztë, ndërsa Flaka Loxha u eliminua në raundin e tretë.