Diskutim virtual mbi zgjedhjet në FFK: Kandidimi i Agim Ademit është i pandershëm, por reformat të mos priten pavarësisht fituesit
Gjatë mbrëmjes së djeshme është zhvilluar një diskutim virtual mbi zgjedhjet në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku morën pjesë futbolldashës dhe gazetarë sportivë. Diskutimi virtual ishte voluminoz dhe përmbajtësor, ku gjithësecili shprehi mendimet e veta për rrjedhën e zgjedhjeve në shtëpinë e futbollit kosovar.
Kryetema e ditëve të fundit është zgjedhja e kreut të ri të FFK-së, ku kuvendi zgjedhor siç e dimë është shpallur të mbahet më 6 prill. Gjithë kjo hasi në shumë kundërshtime nëse është i vlefshëm në aspektin ligjor apo jo thirrja e këtij kuvendi. Gjithsesi, deri më tani, janë dy kandidatë që kanë shpallur ambiciet e tyre për t'i udhëhequr politikat e futbollit kosovar. Ata janë kryetari i tanishëm në fuqi, Agim Ademi, si dhe Gramoz Vokrri, i cili deponoi 16 nënshkrime të delegatëve. Tani, i mbetet komisionit verifikues t'i çertifikojë kandidatët zyrtarisht.
Kësisoj, në një diskutim virtual të mbajtur në hapësirën space në twitter, ishte një numër i konsiderueshëm i gazetarëve sportivë dhe i futbolldashësve që diskutuan publikisht në lidhje me këto zhvillime.
Kryesisht mbizotroi kundërshtimi për vetë kandidimin e Agim Ademit, duke e quajtur të pandershëm, nëse kemi parasysh problemet me ligjin që i ka të vazhdueshme, siç i ceknin ata.
"Situata me Agim Ademin është e jashtëzakonshme, me tërë këto probleme dhe aktakuza gjyqësore. Në maj pritet të fillojë rigjykimi", tha njëri prej folësve.

Në një linjë të ngjajshme ishte edhe njëri prej gazetarëve, që deklaroi: "Nevoja që të ndryshohet kryetari aktual është e domosdoshmë. Një person që ka vazhdimisht probleme me ligjin. Njëri prej rasteve gjyqësore është ndikimi, që është vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burgim, e cila i është parashtruar dhe kjo nuk është krejt e rastësishme. Në kohën e pandemisë thuajse nuk është mbajtur asnjë seancë. Ai e ka ditur këtë gjë që ekziston një afat kohor, ku nëse nuk mbahen seancat, atëherë ai del i pastër."
Njëra prej kritikave më të mëdha ndaj Agim Ademit, përveç problemeve me ligjin, ishte edhe trajtimi ndaj gazetarëve sportivë që u bënë. Mbase, kishte të atillë që shprehnin dyshimet e tyre se disa edhe paguhen drejtpërdrejt për ta përkahur atë.
"Agim Ademi ka tentuar në një masë të madhe t'i kontrollojë edhe mediat, duke përfshirë një numër të madh të gazetarëve. Ata që janë duke e favorizuar linjën e Gramoz Vokrrit nuk besoj që paguhen nga ky i fundit. Si ka mundësi që një gazetar i sportit që merr pagë nga FFK të dalë dhe të tregojë se çka po ndodhë?!", theksoi njëri prej gazetarëve të pranishëm në panel.
Nuk mungoi edhe habia e njërit prej gazetarëve sportiv për atë se si zgjati 4 vjet mandati aktual i kryetarit Ademi. Ndër të tjera ai vuri theksin te një paralele interesante me zgjedhjet në FBK që ishin mbajtur pak kohë para se të votohej Agim Ademi si kryetar i ri i FFK-së.
"Ajo që më kishte habitur nga kuvendi zgjedhor i 2018-es në FFK, ishte se mandati u zgjodh të vazhdojë për 4 vjet të plota. Ndërsa pak javë më herët isha pjesë e kuvendit zgjedhor në FBK, kur Arben Fetahu e vazhdoi mandatin e lënë pezull nga Erolld Belegu. Gjithsesi, nga ajo që m'u pati thënë nga ish-sekretari i atëhershëm i FFK-së, Eroll Salihu, është se ishte një rast ndryshe dhe se me statut specifikohet që nëse ndodh një fatkeqësi si vdekja, atëherë kryetari i ardhshëm vazhdon me mandat 4 vjeçar me autorizim të UEFA-s dhe FIFA-s", përfundoi ai.
A përfaqëson Gramoz Vokrri kundërkandidatin e duhur?
Në vazhdim të debatit u komentua edhe kandidatura e shpallur nga Gramoz Vokrri. Mendimet ishin të ndryshme, por nuk mungoi edhe këndvështrimi skeptik. U kundërshtua në masë të madhe moskonsistenca që ka treguar ajo që po quhet "opozita e Agim Ademit". Ishin të shumtë ata që kritikuan Eroll Salihun që nuk mori rreshtimin që shfaqi së fundmi, në kundërshtim të politikave të kryetarit Ademi, që prej kohësh, por e justifikoi, mbrojti dhe pastaj ndryshoi kahje në çastet e fundit. Disa e panë edhe me dyshim vetë mënyrën se si po e menaxhon kritikën ky pol opozitar.
"Ishin pikërisht këta të opozitës që kanë vrapuar shpejt për ta zgjedhur Agim Ademin si kryetar të FFK-së, për një kohë rekord. Më është dukur shumë e dyshimtë forma se si i është qasur kritikës kjo opozitë. Komuniteti i futbollit të Kosovës është aq jo profesional, sa që ndryshimet nuk pres të rrjedhin shpejt. Po ai i njëjti komunitet ka parë diçka negative te Agim Ademi, sa për t'u çuar në këmbë dhe të thonë përnjëherazi 'hajt, ta ndryshojmë tash'. Nuk është gjuha e duhur ajo që kanë zgjedhur për të bërë opozitë", shtoi njëri prej folësve.

Te Gramozi një pjesë e panelit treguan se kanë parë kandidimin e tij vetëm në petkun e trashëgimtarit të ish-kryetarit të ndjerë, Fadil Vokrri, në cilësinë e birit të tij. Kurse kishte edhe të atillë që shprehen mendim të kundërt, duke ia atribuar Gramozit një intelekt, për të cilin u tha që një pjesë e opinionit publik mund të mos e njoh ende.
Sa i përket programit që është munduar ta shpalosë në daljet e tij televizive, Gramozit iu përmend për të mirë angazhimi i tij për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimit në akademitë e klubeve dhe futbollin e femrave. "Krijimi i shkollave të futbollit dhe promovimi i futbollit të femrave, janë disa prej shtyllave të programit të Gramoz Vokrrit që më kanë pëlqyer më së shumti. Ne duhet të koncentrohemi te zhvillimi i lojtarëve brenda vendit, pasi ka shumë talentë, por vetëm duhet punuar me ta", shtoi njëri prej gazetarëve sportiv.
Në vazhdim pati edhe një pajtim të gjerë se ndryshimet është e vështirë të ndodhin dhe si e tillë është problematike të ketë pritshmëri për to. Kryesisht u kritikua me të madhe shërbimi i mangët dhe i dobët i shitjes së veshmbathjeve të kombëtares së Kosovës, mostransparenca në ndarjen e fondeve që thithen nga UEFA dhe FIFA, sistemi zgjedhor, shitja e biletave, akreditimi i gazetarëve në aktivitete të caktuara (si ndeshjet e kombëtares), përformanca e dobët e zyrës për media ku nuk shfaqen rezultatet me orë të tëra dhe mungon raporti kuptimplot me statistika dhe elemente të tjera, e kështu me radhë.
S'ka besim që klubet të jenë promotorë të ndryshimit
Për fund, edhe klubet nuk u amnistuan nga kritika, sepse vetë çalesa e tyre në organizim bën që mos të ketë shpresë që t'u besohet atyre promovimi i një fryme ku do të bëhej ndryshimi i shumëpritur. Folësit në këtë diskutim ranë në pajtim që matematikat në fund të kampionatit krijojnë klimën e atillë sa që mund të ndryshon edhe disponimi i klubeve, duke ndryshuar kësisoj edhe qëndrimet sa i përket përkahjes së ndonjërit prej kandidatëve. Për këtë arsye e përmenden edhe ngutinë e shpalljes së zgjedhjeve tani, në fillim të muajit prill, për t'i shmangur këto kalkulime që do të mund ta bënin garën më të paparashikueshme.