Diogo Jota nënshkruan kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin
Sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare, e cila e mbanë atë në Anfield deri në vitin 2027.
Jota u shpërblye me kontratë të re pasi që nga ardhja e tij në Liverpool nga Wolves në vitin 2020 pati formë të mirë dhe vazhdueshmëri në paraqitje. Tani ai së bashku me Mohamed Salah, Tren Alexander-Arnold, Jordan Henderson dhe Fabinhon janë në planet afatgjata të skuadrës angleze.
25-vjeçari shënoi 21 gola në të gjitha garat për të kuqtë në sezonin që kaloi, por tani ai do të ballafaqohet për një pozitë titullari me ardhjen e re të Liverpoolit, sulmuesin uruguaian, Darwin Nunez nga Benfica.
Kontrata e re Jota-Liverpool
Bisedimet ndërmjet drejtorit sportiv të Liverpoolit, Julian Ward dhe menaxherit të Jota, Jorge Mendes, shkuan pa probleme, duke lejuar sulmuesin të jetë lojtari i fundit i skuadrës së Jurgen Klopp që nënshkruan kontratë të re.
“Mirë, jam shumë krenar, më duhet ta them. Sigurisht që kur arrita këtu para dy viteve, u ambientova dhe isha nga lojtarët e rëndësishëm në skuadër, kjo është ajo që doja që nga fillimi.
Tani, të nënshkruash kontratë afatgjate, padyshim nga këndvështrimi i klubit kjo është një provë e besimit në vetën time si lojtar. Për mua, padyshim është shumë mirë që do jem këtu edhe për një kohë të gjatë.
Tani, është koha për fillimin e sezonit, le të shkojmë”, përfundoi Jota pas nënshkrimit të kontratës.
— Liverpool FC (@LFC) August 2, 2022
Rikuperimi nga lëndimi
Diogo Jota ishte jashtë përgatitjeve për sezonin e ri, për shkak të një lëndimi në hamstring apo pjesën lartë mbrapa këmbës, që e pësoi me kombëtaren portugeze.
Ai tregoi se kthimi i tij në fushë do të ndodhë brenda pak javëve.
“Fatkeqësisht për mua, pata një mërzitje që mungova në fazën përgatitore sepse pësova lëndim në ndeshjen e fundit me kombëtaren time.

Tani jam kthyer në pjesën e dytë, por ende nuk ndjehem gati dhe mund të them se për pak javë do të jem gati.
Kur lufton për gjithçka, ashtu siç bëmë ne vitin e kaluar, dëshiron që ta bësh përsëri akoma më mirë, sepse është e mundshme.
Kjo nxitje është te unë por e di që e njëjta është edhe te shokët e skuadrës dhe gjithë stafi. Kemi gjithçka për të luftuar në të gjitha garat", tha për fund portugezi.
