“Diçka nuk po shkon” – Gundogan kritikon ‘mungesën e dëshirës’ për fitore te Man City
Mesfushori gjerman me prejardhje turke, Ilkay Gundogan, ka pranuar se diçka nuk po shkon në skuadrën e Manchester Cityt, me 32-vjeçarin që thotë se ka ‘mungesë të dëshirës’ për fitore te skuadra e Pep Guardiolës në ndeshjet e fundit.
Kampionët në fuqi të Premierligës shijuan një fitore bindëse 4:0 ndaj Chelseat në raundin e tretë të FA kupës të dielën, por dy pikë u humbën në barazimin 1:1 në shtëpi ndaj Evertonit në natën e Vitit të Ri përpara një humbjeje shokuese 2:0 ndaj Southamptonit në çerekfinalen e kupës Carabao në mesjavë.
City ishte gjithashtu larg më e mirë kur e mposhti Chelsean në një ndeshje të Premierligës në Stamford Bridge, me Gundogan që mendon se standardet e larta nuk janë mbajtur edhe në Etihad Stadium.

Mesfushori gjerman ka thënë: “Në dy javët e fundit, është një ndjenjë që diçka po mungon, diçka nuk po shkon. Me cilësinë që kemi, gjithmonë duhet të fitojmë ndeshjet. Për momentin, duket sikur mungon një përbërës i veçantë; paraqitjet, dëshira, uria ndoshta nuk janë si vitet e fundit, kështu që shpresojmë se [humbja ndaj Southampton] do të jetë një thirrje për t’u zgjuar nga gjumi. Duhet të fillojmë sërish punën e fortë, të jemi të përulur sepse gjërat nuk do të na vijnë automatikisht.”

Qytetarët do të duhet të kthehen te forma e mirë në Premierligë të shtunën, me Guardiola duke përgatitur skuadrën e tij për një takim derbi me fqinjët Manchester United.
32-vjeçari foli edhe mbi formën mbresëlënëse të Djajve të Kuq, ku tha: “Mund të jetë një shans, menjëherë, për t'i përmirësuar gjërat. Natyrisht derbi është derbi, është një lojë krejtësisht tjetër. Për ne, të luash në Old Trafford vitet e fundit është një kujtim i mirë, ose ishte një kujtim i mirë, por ne gjithashtu e dimë se ndoshta luajmë kundër skuadrës më të mirë të United me të cilën jemi përballur vitet e fundit, plot besim, plot përkushtim. Me lojtarët që ata morën gjatë verës, duket sikur gjithçka po shkon në skuadrën e tyre, kështu që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Por ne duhet të jemi gati për sfidën, duhet të bëjmë një paraqitje shumë më të mirë.”

Pavarësisht se është larg formës së zakonshme, City është ende në raundin e katërt të FA kupës, në 1/16 e Ligës së Kampionëve dhe është vetëm pesë pikë prapa nga lideri Arsenal në tentim për mbrojtjen e titullit të tyre kampion të Premierligës.


