Guardiola: Nëse luajmë sikurse me Southamptonin, s'kemi shanse ndaj Man Unitedit
Trajneri Pep Guardiola ka paralajmëruar yjet e Manchester Cityt se nuk kanë shanse për ta fituar derbin e të shtunës nëse përsërisin paraqitjen e zbehët sikurse ndaj Southamptonit.
"Qytetarët" u befasuan dje duke pësuar humbje nga Southampton në kuadër të Carabao Cup, pas golave të Sekou Mara dhe Moussa Djenepo.
Edhe inkuadrimi i yjeve si Erling Haaland dhe Kevin de Bruyne nuk e ndryshoi situatën, me Man Cityn që vuri një rekord negativ duke mos pasur asnjë goditje në portë që nga viti 2018.
Pas ndeshjes, Guardiola deklaroi: "Çdo lojë është e ndryshme, garë e ndryshme por sigurisht nëse luan kështu nuk do të kemi shanse".
"E dimë se çfarë duhet të bëjmë që të luajmë më mirë dhe atë do të provojmë".
Guardiola pastaj mbrojti vendimin që De Bruyne dhe Haaland të ishin në stol, duke thënë se pa ta fituan ndaj Chelseas.
"I lashë në stol edhe kundër Chelseas dhe ti nuk më pyete sepse fituam. Gjithmonë unë besoj se kur luan në katër kompeticione, kam ndjenjën se duhet t'i përdorë të gjithë lojtarët që të jenë të gatshëm në çdo moment".
"Kush e di nëse Erling dhe Kevin do të ishin në lojë do të ishte ndryshe. Unë nuk e di. Provuam më të mirën. Ndryshuam formacionin dhe luajtëm mirë ndaj Chelseas dhe njerëzit thanë sa mirë ishte ai vendim".
"E kam ndjenjën se pavarësisht formacionit do të paraqiteshim në të njëjtën mënyrë", deklaroi ai.
Përballja e radhës për Man Cityn është kundër "Djajve të Kuq" të shtunën me fillim nga ora 13:30.