Diamant Berisha i Schalkes refuzoi ftesën e Kosovës U21 për t'u përqendruar te skuadra e tij - NACIONALE

Diamant Berisha i Schalkes refuzoi ftesën e Kosovës U21 për t'u përqendruar te skuadra e tij

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova U21 hasi në shumë mungesa përgjatë grumbullimit të fundit, ku zhvilloi dy ndeshje me Slloveninë, duke barazuar me rezultat 0 me 0 në secilën prej përballjeve që u luajtën. Fenomeni i refuzimit të ftesave të Kosovës nga lojtarët me arsyetimin që u duhet koncentruar te skuadrat ku luajnë, po vazhdon akoma. As kombëtarja U21 nuk bën përjashtim. Një refuzim të tillë e ka pohuar vetë edhe njëri prej lojtarëve të saj: Diamant Berisha.

Te kombëtarja e Kosovës U21 kishte mungesa për arsye të infektimit me covid-19, si në rastin e Ismet Lushakut, mungesa të tjera për shkak të refuzimeve të klubeve që t'i lironin lojtarët në çastet e fundit kur morën ftesat (për hir të së vërtetës ato ishin edhe me vonëse), por edhe për arsye të vendimeve të vetë lojtarëve që prioritizuan interesin e skuadrave përkatëse para asaj të kombëtares dardane.

Një dukuri të tillë sikurse kjo e fundit u vu re nga sulmuesi i krahut të majtë të Schalke II dhe të Kosovës U21, Diamant Berisha. Ai ka pranuar publikisht për mediat gjermane që ka refuzuar ftesën e Kosovës për ta pasur vëmendjen e plotë te skuadra e tij, e cila po kalon në një krizë të rezultateve. Kjo pasi ata ndodhen në betejën për mbijetesë, duke mos fituar në asnjërën prej pesë ndeshjeve të fundit. Një rendiment i tillë ndikon që ata të renditen në pozitën e 15-të të renditjes tabelare me 32 pikë të grumbulluar. Kësisoj, Diamant Berisha duke u këshilluar me trajnerin e tij, Fröhling, ka vendosur që ta refuzojë ftesën e Kosovës, paçka këtë vendim e ka quajtur të vështirë.

"Vendimi për të mos u grumbulluar me kombëtaren ishte i vështirë për mua. Jam gjithmonë krenar sa herë që luaj për vendin tim të origjinës. Megjithatë, në situatën momentale në të cilën gjendemi, vendosa t'i jap përparësi Schalkes.

"Trajneri më ka shpjeguar që skuadra ka nevojë urgjente për çdo lojtar veç e veç për shkak të situatës që po kalojmë", deklaroi sulmuesi këmbëshpejtë kosovar.

Diamant Berisha është prej lojtarëve më premtues që Schalke ka në radhet e veta, bashkë me qendërsulmuesin Bleron Krasniqi. Disa herë është ftuar edhe nga skuadra e parë për të marrë pjesë në seancat stërvitore, duke iu bashkuar bashkëkombasit të tij tjetër, Blendi Idrizit.

Ai iu bashkua kombëtares së shpresave në grumbullimin e nëntorit të vitit 2020. Kryesisht ka qenë gjithmonë i vendosur si rezervë e Valmir Veliut, përveç një rasti kur iu dha mundësia të luajë si titullar, në ndeshjen ndaj Republikës Çeke kur dardanët e rinj u mposhtën me rezultat 3 me 0. Përgjithësisht ai është paraqitur në pesë ndeshje, një si titullar dhe katër herë të tjera duke u inkuadruar gjatë pjesës së dytë. Ky ishte grumbullimi i dytë radhazi që mungonte te Kosova, pas atij të nëntorit të vitit të kaluar.

Kjo është kampanja e fundit kualifikuese me grupmoshën e U21 që ai mund të marrë pjesë. Kosova U21 do t'i luajë edhe tri ndeshje gjatë këtij cikli, ku që të gjitha do t'i zhvillojë në qershor: me Andorrën në udhëtim, Anglinë në shtëpi dhe Shqipërinë si mysafire. Për faktin që kombëtarja e drejtuar nga Albert Bunjaki ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ajo ende është në garë që ta mbarojë këtë kampanjë kualifikuese duke synuar pozitën e tretë ose të katërt, të cilat zinen nga Sllovenia dhe Shqipëria, e ku distanca është vetëm dy pikëshe.

Lajme të ngjashme