Dështon sërish Drita, pëson humbje nga Dukagjini – Fushë Kosova mposht Lirinë
Drita ka bërë një tjetër hap fals në garën për titull duke u mposhtur në udhëtim te Dukagjini (1:0), derisa Fushë Kosova triumfoi ndaj Lirisë së Prizrenit (2:0).
“Intelektualët” dominuan shumicën e kohës, por që skuadra nga Klina i arkëtoi pikët e plota me rezultat 1:0.
Drita kishte raste shënimi nga minuta e parë mirëpo njësoi si në ndeshjet e fundit vazhdon t’iu mungojë një finalizues.
Zhvillohej minuta e 53-të, ku Oveka bëri një ndërhyrje brenda zonës duke shkaktuar 11-metërsh, ku i pagabueshëm doli të jetë Blerind Morina (57’).
Drita tentoi deri në fund që ta barazonte rezultatin mirëpo që assesi s’ia doli. Në fakt Albin Prapashtica realizoi në minutat shtesë, por goli u anulua nga VAR-i (90+1').
Kësisoj, Drita mban pozitën e dytë me 22 pikë, shtatë më pak se Ballkani që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar derisa Dukagjini ngjitet në pozitën e pestë me 17 pikë.
Fushë Kosova në anën tjetër arkëtoi pikët e plota me rezultat komod 2:0 ndaj Lirisë së Prizrenit.
Ndeshja ishte shumë e baraspeshuar me raste të shumta nga të dy skuadrat.
Dominik Ivkic kaloi Fushë Kosovën në epërsi duke realizuar pas një harkimi nga këndi (59’).
Kurse, 10 minuta më vonë Osman Mëziu dyfishoi epërsinë (69’) dhe njëkohësisht vulosi fitoren.
Për Fushë Kosovën kjo është fitorja e dytë në Superligë pas 13 xhirove, duke mbledhur 10 pikë në vendin e nëntë derisa Liria qëndron në fund me tetë sosh.