‘Dështakët’ e sezonit të kaluar në Premierligë barazojnë në derbin e javës së parë
Padyshim që kryendeshja e javës së parë në Premierligë ishte ajo që u zhvillua në Stamford Bridge mes Chelseat e Liverpoolit që përfundoi me barazim 1:1.
Këto dy skuadra jo vetëm që u përballen në fushë, por janë në një betejë për të njëjtin futbollist. Bëhet fjalë për Moises Caicedon, i cili dëshiron të transferohet te Chelsea, por skuadra e tij Brighton e ka pranuar ofertën më të shtrenjtë të ardhur nga Liverpooli dhe situata mbetet akoma në ajër, pak a shumë si rezultati i sotëm mes dy skuadrave.
Si Chelsea ashtu edhe Liverpooli patën një sezon për t’u harruar vitin e kaluar, pasi asnjëra nuk arritën të kualifikoheshin në Ligën e Kampionëve.
Chelsea në cilësinë e vendasit pati ndeshjen në kontroll për pjesën më të madhe të ndeshjes dhe rrezikoi më shpesh të shënonte, ndërsa Liverpooli të vetmen goditje në portë e pati në golin e shënuar.
Ishte një kundërsulm i shpejtë, me Mohamed Salah që mori topin edhe asistoi për mrekulli në zonë te Luis Diaz, që shënoi për 1:0 në minutën e 18-të.
Salah e gjeti golin në një moment, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Chelsea arriti të kundërpërgjigjej në pjesën e parë, kur pas një tollovie në zonë pas një harkimi nga këndi, topi shkoi jashtë zonës te Ben Chilwell, që asistoi me kokë për Alex Disasi, që shënoi lehtësisht në minutën e 37-të për 1:1.
Londinezët pas pak minutash shënuan sërish me anë të Chilwell, por mbrojtësi anësor ishte në pozitë jashtë loje kur pranoi topin dhe si rrjedhojë goli u anulua.
Në pjesën e dytë, Chelsea sërish pati më shumë nga ndeshja, duke pasur kontrollin e topit dhe rastet më të mira në ndeshje, ndërsa skuadra e Jurgen Klopp dështoi të krijonte raste të rrezikshme.
Si përfundim, Chelsea me Liverpoolin barazuan 1:1 në kryendeshjen e javës së parë në Premierligë dhe të dy skuadrave i mbetet të kërkojnë rezultatet pozitive në javët në vazhdim, për të mos përsëritur përfundimin e sezonit të kaluar.

